Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar anulimin e hartës së re gjyqësore që sipas tij privon banorët e 10 qyteteve nga sistemi i drejtësisë.
Berisha u shpreh në një konferencë për mediat nga selia blu se harta e re rrit shpenzimet e udhëtimit dhe hotelit dhe shpenzon kohë për qytetarët që duhet të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin për të marrë pjesë në seanca të ndryshme.
Ai nënvizoi se ky model është i dështuar ndërsa shtoi se është në kundërshtim me rezolutën më të fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë.
“Me hartën gjyqësore të Edi Ramës mbyllen nëntë gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve të nëntë qyteteve në sistemin e drejtësisë. Mbyllet gjykata e Tropojës, Pukës, Kurbinit. Lushnjes, Pogradecit, Përmetit etj. Ngelen vetëm dy gjykata administrative. Mbyllen 5 gjykata të apelit dhe mbetet vetëm Apeli i Tiranës.
Kjo është një metodë e ndëshkuar. Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit që duhet të udhëtojnë për të shkuar në gjykatën e rrethit tjetër. Kështu rriten shpenzimet e udhëtimit, hoteleve për qytetarët dhe shpenzohet koha e tyre. U mohohet edhe aksesi në sistemin e drejtësisë. Miratimi I hartës së re është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Mbyllja e gjykatave cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit.
Kjo bën që gjykata në numër të konsiderueshëm të mbeten të paaksesueshme për qytetarët. Vendimi i KLGJ dhunon edhe grupet e interesat që lidhen direkt me këtë gjë. Si avokatët. Ekspertët kontabël dhe ekspertët psikologë. Harta e re vjen në kundërshtim flagrant me kërkesat e drejta të rezolutës më të fundit të PE për Shqipërinë e cila kërkon shprehimisht që harta e gjyqësorit duhet të marrë në konsideratë mendimet e grupeve të interesit dhe kushtet e grupeve vulnerabël. Në të vërtetë harta e re hedh poshtë kërkesat e kësaj rezolute të PE. Opinioni i grupeve të interesit jo vetëm që nuk është përfillur por është hedhur poshtë me cinizëm pasi ato kanë kundërshtuar në mënyrën më të prerë këtë hartë.
Harta dëmton rëndë grupet vulnerable të cilat për shkak të shpenzimeve shtesë do e kenë të pamundur të drejtohen në gjykata. Harta jo vetëm që nuk lehtëson por pengon aksesin në sistemin e drejtësisë dhe rrit kostot. Bashkë me stokun e 110 mijë dosjeve privon qytetarët nga një proces i rregullt gjyqësor. Në këtë kontekst PD dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm pasi ndëshkohen qytetarët dhe avoketërit bashkë me ekspertë. Ky projekt përqendron vendimmarrjen në sistemin e drejtësisë në duart e dy tre personave të kryesuar nga i famshmi Sokol Sadushi”, tha Berisha.