Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ndër të tjera foli edhe për Ballkanin e Hapur, për të cilën tha se është vendim i Kosovës se në cilat iniciativa rajonale të marrë pjesë e në cilat jo.
“Dua të them ne e kemi thënë hapur, Gejb është i dërguari special për rajonin, përfaqësues special për rajonin dhe zëvendës-ndihmës sekretari për Ballkanin Perëndimor dhe kur i njofton prioritetet e politikave për Ballkanin Perëndimor, objektivat, ai flet në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ne e përkrahim iniciativën e Ballkanit të Hapur, duke e thënë këtë ne e kuptojmë që Kosova ka të drejtë më marrë vendimet e saj sovrane se në cilat iniciativa rajonale do të marrë pjesë dhe në cilat nuk do ta bëjë, pra është një vendim sovran për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Ambasadori shtoi se Shtetet e Bashkuara i përkrahin iniciativat rajonale, të cilat i afrojnë së bashku shtetet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe i afrojnë me tregun evropian.
“Pra, e përkrahim Procesin e Berlinit, e përkrahim CEFTA-n, e përkrahim Tregun e Përbashkët Rajonal dhe e përkrahim Ballkanin e Hapur”.
Sipas tij, ata do ta përkrahin iniciativën e Ballkanit të Hapur, deri në pikën që disa kushte të caktuara të plotësohen apo vazhdohen.
“Një nga këto kushte për të cilën Gejb ka folur shumë hapur është se është e lirë dhe barabartë e qasshme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, pra pa fusnota, pa kushte speciale, pra në këtë rast Kosova do të trajtohej si çdo shtet tjetër në këtë iniciativë. Tjetra është se principet të jenë në linjë me kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në fakt puna që është bërë në lirinë e lëvizjes se njerëzve, të mallrave, të shërbimeve, kapitalit dhe çështjeve të sundimit të rendit dhe ligjit është në linjë me kriteret e Bashkimit Evropian për aq kohë sa këto kushte plotësohen ne e përkrahim iniciativën”, deklaroi ambasadori Hovenier në KlanKosova.