MENU
klinika

Kush janë më të mirëpaguarit?

INSTAT: Paga mesatare 59 mijë Lekë!

12.06.2022 - 19:10

Gjatë periudhës 3-mujore të këtij vitit, paga mesatare mujore në Shqipëri sipas INSTAT është 59 mijë Lekë duke sjell një rritje me 5,8 %, krahasuar me të njëjtin 3-mujor të vitit të kaluar. Më të paguarit rezultojnë menaxherët, ligjvënësit e nëpunësit e lartë të administratës shtetërore, ndërsa më të keqpaguarit mbeten të punësuarit në sektorin e bujqësisë.

Paga mesatare mujore për një të punësuar, duke përfshirë edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore, gjatë tremujorit të parë 2022, është 59.242 Lekë, duke u rritur me 5,8 %, krahasuar me të njëjtin 3-mujor të vitit të kaluar. Edhe pse ka një rritje të lehtë të pagës, ndikimi në ekonominë familjarë është i papërfillshëm duke patur parasysh se inflacioni është rritur me hapa më të mëdhenj, duke arritur vlera historike 6,7% për shkak të rritjes së çmimeve. Pra shqiptarët me të njëjtën sasi parash blejnë më pak produkte.

Sipas INSTAT, nga 2019 në 2022 paga mesatare mujore është rritur vetëm 5 mijë Lekë.

Gjatë 3-mujorit të parë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në sektorin “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” është 93 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar. Pas tyre renditen të punësuar në grup profesionin e “Menaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” pagesa e të cilëve është pothuajse 74 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar.

Ndërsa më të keqpaguarit janë punonjësit e sektorit “Bujqësi, pyje dhe peshkim”, paga e të cilëve është 3 % më e ulët se paga mesatare mujore, si dhe grupi “Punëtorë (Profesione elementare)” që e kanë pagën gati 40 % më të ulët se paga mesatare mujore.

Gjatë tre muajve të parë të këtij vitit, paga mesatare bruto për grup aktivitetin “Informacionit dhe komunikacionit” ka rritjen më të madhe prej 25,8 %, më pas renditet grup-profesioni Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve, që ka rritjen prej 9,7 %, ndërsa rritjen më të vogël e kanë grup-profesioni i Specialistë me arsim të lartë prej 4,2 % dhe të punësuarit në aktivitete që kanë të bëjnë me “Arte, argëtim dhe çlodhje; apo Aktivitete të tjera shërbimi” prej 2,7 %.