Bullgaria hoqi dje veton ndaj Maqedonisë së Veriut duke bërë të mundur zhbllokimin e procesit të integrimit në BE për RMV dhe Shqipërinë.
Pas disa orësh debat, ligjvënësit bullgarë votuan që të heqin veton sipas kushteve të propozimit të Presidencës franceze me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim.
Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që, sipas propozimit francez, Komisioni Europian do të shërbejë si arbitër, sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.
Ky propozim është hapi i parë drejt marrjes së dritës jeshile dhe fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Projektvendimi që i hap rrugë fillimit të negociatave për anëtarësim të Shkupit do të kalojë për nënshkrim në Këshillin e Ministrave. Tashmë propozimi duhet të pranohet nga Këshilli i Ministrave, i cili do ta dërgojë në Bruksel.
Tashmë mbetet tetori, mundësia e radhës për Tiranën dhe Shkupin. Ndonëse pa një rezultat konkret, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e quajti arritje madhore. Por Maqedonia e Veriut refuzoi propozimin francez me arsyetimin se është i papranueshëm.
“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh Kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, përshëndeti votimin në Parlamentin bullgar për heqjen e vetos teksa njoftoi se në ditët në vijim do të vijojnë takimet për çështjet teknike të nevojshme me dy vendet.
“Orët në vijim do të punojmë me çështjet teknike të nevojshme për të formalizuar një marrëveshje në ditët në vijim me Bullgarinë e Maqedoninë. Unë do të thosha se e gjitha ‘makina’ është e gatshme këtu dhe doja të falënderoja Kryeministrin e Bullgarisë, por edhe koalicionin e tij, të gjitha forcat për këtë votë, po ashtu falënderoj për progresin edhe Maqedoninë e Veriut, ka ende punë për të bërë, nuk mund të thërrasim fitore, po gjithsesi është një hap përpara”, u shpreh Macron.
Edhe Kryeministri Edi Rama falënderoi liderin e opozitës bullgare, Bojko Borisov, për dhënien e votave pro në Parlament, për heqjen e vetos ndaj Shkupit, duke i dhënë dritën jeshile procesit të hapjes se negociatave me BE-në.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, Kryeministri bëri të ditur se pati një telefonatë nga ish-Kryeministri Borisov, ndërsa i bëri thirrje Brukselit të veprojë sa më shpejt për këtë vendim.
“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në Parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, tha z. Rama.