Ish-tenistja australiane Jelena Dokic, tashmë 39 vjeçe, ka rrëfyer se ka qenë duke u vetëvrarë, duke u hedhur nga kati i 26-të i shtëpisë së saj. Ish-numri 4 në botë, ka rrëfyer gjithçka, duke bërë publike edhe datën që do t’i merrte jetën: 28 prill 2022.
Për fat nuk arriti ta kryejë atë gjest dhe u ndal para se të hidhej. Disa javë nga ajo ngjarje, ajo ka rrëfyer gjithçka përmes një postimi në “Instagram”.
“Më 28 prill 2022, për pak sa nuk u hodha nga ballkoni i shtëpisë time, nga kati i 26-të. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. gjithçka ishte errësirë atë ditë. nuk ka asnjë zhurmë, asnjë imazh, vetëm lot dhe trishtim”, thotë Dokic.
View this post on Instagram
Tenistja me origjinë kroate, më tej kujton: “6 muajt e fundit kanë qenë të vështirë. Qaja gjithnjë dhe kudo. Mbyllesha në banjë që njerëzit të mos më shihnin lotët. Isha vazhdimisht e trishtuar dhe e shkatërruar moralisht. Është faji im, nuk e meritoj që të më duan dhe kam frikë”.
Duke kujtuar atë ditë, ajo thotë: “Gati sa nuk u hodha nga ballkoni. Doja vetëm që dhimbja e vuajtjet e mia të përfundonin përgjithnjë. Isha në limit, nuk e di ende përse nuk e kreva atë gjest. Ndoshta fakti që kam qenë teniste profesioniste më ndihmoi”.
“I shkruaj këto rreshta pasi e di që nuk jam e vetmja që po kaloj këto momente. Nuk jam më mirë, por ndihem më e qetë dhe në një rrugë më të mirë. Ka ditë që jam mirë, ditë të tjera jo. Herë bëj hapa përpara e herë pas, por e di që të paktën po luftoj. Premtoj se do të rikthehem më e fortë se dikur”, përfundon Jelena Dokic