Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka njoftuar se është arritur dakordësia politike për të zhvilluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë gjatë javës së ardhshme.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla u shpreh se është arritur një dakordësi e plotë mes 27 vendeve anëtare të BE-së për çështjen e integrimit të Shqipërisë.
Sipas tij, zhvillimi i Konferencës së Parë Ndërqeveritare është kulmim i kontributeve të shumë qeverive.
“Kërkova fjalën për të ndarë me ju një lajm më se të mirë, ndoshta më i rëndësishmi këto 30 vite përsa i përket rrugëtimit tonë në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë ndërqeverisë mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt.
Kjo qeveri ka meritën e pazëvendësueshme për përmbushjen e detyrimeve. Shqipëria po negocion dhe do negociojë për t’u bashkuar në BE. Java e ardhshme do jetë solemne në përgjegjësinë që kemi për të punuar. Duke pasur parasysh dhe detyrat që ka Kuvendi në këtë proces. Ne kemi udhëheqësinë e këtij procesi. Përsa kohë negociatat përfshijnë legjislacionin. Fillimi i bisedimeve për anëtarësim është fitore për shqiptarët. Urojmë që minutat dhe orët në vijim të jenë vendimtare për mbajtjen e Konferencën e Parë ndërqeveritare. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë, nuk e kanë me ne por me qytetarët” – tha Balla.