MENU
klinika

“Askush të mos e kalojë”

Kosova vendos çmimin tavan 1.85€ për naftën, në Shqipëri vijon 2.16 €

27.06.2022 - 12:38

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, ka bërë të ditur të hënën çmimet maksimale për derivate të naftës në periudhë 24-orëshe.

Njoftimi i ministrisë:

Bazuar në nenin 5 të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës, publikon çmimet e produkteve të naftës si në vijim:

ÇMIMI MAKSIMAL I LEJUAR

Për secilin produkt të naftës

  1. Çmimi maksimal i lejuar i produktit Dizel është: 1.85 eurocentë për litër;
  2. Çmimi maksimal i lejuar i produktit Benzinë është: 1.74 eurocentë për litër;
  3. Çmimi maksimal i lejuar i produktit Gas është: 0.78 eurocentë për litër.

Çmimet e lartëcekura vlejnë për datën 27/06/2022 prej orës 10:00 dhe janë valide 24 orë nga data dhe ora e publikimit.

Vendimi vjen pas rritjes së çmimeve të naftës javëve të fundit në Kosovë, kur ka pasur raste që ka kushtuar 1.91 euro.

Ndërkohë, në Shqipëri Bordi i Transparencës nuk ka bërë asnjë ndryshim prej 4 ditësh në çmimin e karburanteve. Nafta vijon të tregtohet me 258 lekë, ndërsa benzina 239 lekë në pikat e shitjes me pakicë.