Në muajt që krijuan fabulën e sulmeve e më pas largimit të Lulzim Bashës nga Partia Demokratike, mori formë edhe një metodë krahasimore, e cila në thelb synonte të vinte në dukje sesa ndryshon Sali Berisha me hijen e tij të rëndë e zërin gjëmues, nga nxënësi i tij “bëseprerë” Lulzim Basha. Doktori e mban fjalën, Luli s’e njeh fare ç’është fjala e mbajtur, Berisha është burrë që i peshon ajo që thotë, Luli është një fluturak që sesi e paskemi duruar (pa e kuptuar as vetë!) nja tetë vjet në krye të partisë. Më tej krahasimi në fjalë thoshte se kur Doktori kap mikrofonin, socialistët fshihen si minj gjirizash, kurse Luli ndante paret me ta e pasurohej kur ne ishim pa punë (në fakt Berisha nuk është hiç i varfër, siç ja tha edhe ajo juristja e re që i vajti në takimin me shoqerine civile). Krahasimi shtyhej më tej tek postura, vështrimi, serioziteti dhe natyrisht tek refuzimi kategorik për të bërë çfarëdo pazari me Edvinin e zi (po Kushtetutën në 2008 me cilin e negocioi dhe e ndryshoi brenda 48 orësh)?!
Megjithatë ja që erdhi rasti që këtë metodën krahasuese mes Berishës dhe Bashës, ta vemë në një bankoprovë serioze në 7 korrik. Do kemi protestë kombëtare, të thirrur nga kreu i PD dhe e gjithë opozita pas tij! Siç protestonte Luli, do protestojë edhe Berisha. Do vijnë autobusat plot me njerëz, do gjëmojnë sheshet në mes të vapës, do turren gazetarët e operatorët me kamera në krah, do ngrihen në ajër dronët dhe do zgurdullojnë sytë nga habia turistët spanjollë e suedezë teksa vërtiten mes sheshit Skënderbej dhe bulevardit me akullore në dorë. Opozita do të bëjë sfilatën e rradhës para zyrës së armikut të saj më të betuar, të rrethuar nga një zinxhir policesh femra që duken si të zbritura nga Kozmosi në atë ambjent plot djersë, ulërima dhe sharje banale.
Përtej këtij përshkrimi gjysëm-artistik, 7 korriku ka brenda një mesazh dhe një sfidë të madhe njëherësh, të cilat sërish kanë të bëjnë të dyja me krahasimin Berisha-Basha: së pari PD-ja e re e Berishës (sa paradoks ka brenda kjo farzë), do të pagëzohet në një protestë publike, ku militantët do të kenë mundësi të shfryjnë dufin kundër qeverisë pa “tradhëtarë” në mes.
Së dyti, sfida qëndron në pezmin fatal se as kësaj rradhe opozita nuk do ta rrëzojë dot qeverinë, edhe pse e premton këtë gjë prej nëntë vjetësh. Do jetë një protestë si gjithë të tjerat, megjithë kreun e ri në podium. Kjo sfidë është makthi i vërtetë i Sali Berishës dhe Ilir Metës nga shtatori e tutje. Është sfida ku Lulzim Basha pati kapitulluar shumë e shumë herë bashkë me Berishën, Kryemadhin e të tjerët, që të gjithë në shesh duke yshtur radhët e protestuesve me gurë, heshta e gjithfarë sendesh të tjera, kundër godinës së qeverisë. Doktori e di shijen e kthimit në shtëpi me shijen e trenit të humbur në stacion. Sepse ka qenë vetë në të gjitha protestat e nëntë viteve të fundit.
Në 7 korrik Berisha vesh këpucët e Lulit. Ai hyn në sezonin e gjatë të përpjekjeve për të larguar Ramën nga pushteti, duke e ditur qysh në krye të herës se e ka kundër edhe historinë, edhe të tashmen. Do të jetë kryeopozitari i radhës që do të kërkojë rrëzimin e kësaj maxhorance. Stina e protestave që me gjasë do të vazhdojë më e dendur pas shtatorit, është korsia nëntëvjeçare ku shkeli dhe ku dështoi Lulzim Basha, me fushatat e tij të dështuara të Çadrës, mandateve e plot tentativave të tjera për marrjen e pushtetit përmes rrugës.
Ashtu si Lulzim Basha, por nga pozita dhe për arsye të ndryshme, rruga e Sali Berishës drejt pushtetit duket një mirazh në shkretëtirë. Dhe protestat do ta vërtetojnë indirekt këtë aksiomë të dekadës së fundit, pasi është shumë e vështirë që ta destabilizojnë Edi Ramën. Kur disa mijëra nxënës shkollash e studentë rrëzuan gjysmën e qeverisë Rama 2 te rruga e Durrësit, fuqia e atij akti qëndronte tek fakti se politika u mbajt relativisht larg dhe mesazhi i të rinjve goditi në shenjë. Dalja në rrugë e Berishës dhe Metës sjell me vete në shesin e protestave edhe interesat e tyre politike, të shkuarën e tyre si liderë 30 vjeçarë të këtij vendi, sjell dramat dhe ngjarjet e dhimbshme që lidhen me ta. Prandaj protesta e tyre është e mpakur qysh në krye të herës.
Zbritja në fushë e Berishës është në vetvete një zhvillim antihistorik për jetën politike shqiptare, e cili efektin më të parë ka bllokimin e procesit të rotacionit të elitave drejtuese. Me Berishën, politikan që nga viti i largët ’91 në shesh, Edi Rama që e sheh zallamahinë nga dritarja e zyrës së kryeministrit, ka të gjithë të drejtën e botës të mendojë se është ende herët që të ikë nga politika, ndërkohë që me 20 e kusur vitet karrierë pas vetes, normalisht edhe ai do të duhej të ishte duke menduar pensionin. Berisha në shesh duke protestuar kundër elitës politike, korrupsionit dhe krimit, është një goditje e madhe për të gjithë ata që nuk e duan këtë qeveri dhe këtë kryeministër, por që nuk duan as partitokracinë që po i merr frymë vendit. Elektorati gri ndjehet edhe më gri tani që një 78 vjeçar rrëmben stafetën e luftës kundër maxhorancës.
Shtatë korriku është sërish një protestë që mbart brenda vetëfrenim dhe skepticizëm. Sepse në gjenezë është një protestë që ka si shkak ndreqjen e biografisë “antiamerikane” të shefit të opozitës, e jo çmimet, krizën ekonomike, pagat, korrupsionin e qeverisjes. Nëse Lulzim Basha provokonte të njëjtin fund të protestave, pra dështimin e tyre, me apatinë dhe aneminë e vet të lindur politike, Sali Berisha do të çojë ujë në të njëjtin burim duke i rënë nga rruga e radikalizmit, egërsisë dhe mbi të gjitha raportit të prishur që ka me amerikanët. Është si të arrish në të njëjtin destinacion duke ndjekur dy rrugë të ndryshme.