Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak do ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme.
Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, Lajçak do të qëndrojë në Kosovë nga e hëna (27 qershor) deri të mërkurën (29 qershor), raporton Gazeta Express.
“Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Para se të lërë Kosovën, është planifikuar që Lajçak ta mbajë një fjalim për media të mërkurën.
“Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Vizita e Lajçak vjen pesë ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.