Në këtë eveniment, vendi ynë do të përfaqësohet me 29 sportistë, të cilët do të garojnë në 10 sporte të ndryshme individuale, si: atletikë, boks, gjimnastikë artistike, xhudo, qitje, not, tenis, taekuondo, peshëngritje dhe mundje.
Kuqezinjtë vijnë me ambicie të mëdha në këtë aktivitet, ku ashtu sikurse janë shprehur vetë sportistët apo edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, synohet fitimi i disa medaljeve.
Suksesi në Lojërat Mesdhetare, përveç nderimit të flamurit kombëtar dhe kurorëzimit të djersës e mundit të përditshëm të sportistëve, parashikon gjithashtu edhe shpërblime financiare.
Por le të shikojmë se cili është shpërblimi sipas legjislacionit shqiptar për rezultatet në Mesdhetare. Në një eveniment të tillë shteti ynë paguan vetëm për zonën e medaljeve dhe rekordin mesdhetar.
Kështu, medalja e artë në “Oran 2022” do t’i japë çdo sportisti që e fiton atë një shumë prej 2 milionë lekësh të rinj. Ajo e argjendit vlerësohet me 1 milion, ndërsa bronzi me 800 mijë lekë të rinj.
Ndërkohë për sa i përket rekordit në Lojërat Mesdhetare, çdo sportist i Shqipërisë që e thyen atë, përfiton shumën e 3 milionë lekëve të rinj.
Pritshmëritë më të larta të Shqipërisë për medalje në “Oran 2022” janë nga sportet e traditës, si atletika me Luiza Gegën, peshëngritja me Erkand Qerimajn dhe Evangjelia Velin, mundja me Zelimkhan Abakarov apo Islam Dudaev, boksi me Alban Beqirin, por pa harruar sportistët e tjerë, të cilët shkojnë shumë të karikuar në Algjeri për të dhënë më të mirën e tyre.