MENU
klinika

Ekuadori në alarm

“Mafia shqiptare, shumë e dhunshme. Po merr kontrollin…”

16.06.2022 - 17:43

Autoritetet ekuadoriane kanë ngritur alarmin sa i përket trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës ku Shqipëria është një nga vendet tranzit të këtyre lëndëve narkotike. Ekuadori ka kërkuar bashkëpunimin ndërkombëtar për të luftuar trafikun e kokainës teksa autoritetet atje theksojnë se mafia shqiptare është bërë e dhunshme dhe po ushtron presion të madh për të marrë kontrollin e tregut të këtyre lëndëve narkotike.

“Lufta kundër mafies duhet të thellohet edhe më tej pasi mafiet ndërkombëtare po besojnë se Ekuadori është i tyre” tha Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso.

Ndërkaq, studiuesi për Rrjetin e Amerikës Latine me bazë në Kuito, Renato Rivera ka evidentuar faktin se mafia shqiptare po ushtron presion të vazhdueshëm për të marrë kontrollin e trafikut të kokainës.

“Presioni nga kartelet meksikane për të transportuar në destinacionin e duhur kokainën, po i shtohet edhe presioni në rritje nga organizatat evropiane dhe mafiozët shqiptarë, të cilët janë jashtëzakonisht të dhunshëm dhe po ushtrojnë presion për të marrë kontrollin mbi trafikun e narkotikëve në vend” tha Rivera.

Sipas Riveras, kartelet meksikane Jalisco New Generation (CJNG) dhe Sinaloa janë lojtarët kryesorë në kontrabandën ajrore përgjatë bregdetit ekuadorian.

“Aeroplanët vijnë e shkojnë nga Amerika Qendrore, shumica prej tyre me flamuj meksikanë; ata sjellin armë dhe para, kokainë dhe benzinë”, theksoi Rivera.

Ekuador ka përjetuar dhunë në rritje, duke përfshirë atentate me bomba dhe trazira në burgje, të cilat kanë rezultuar në gati 400 të vdekur në pak më shumë se një vit, raporton France 24 më 25 maj.

“Një seri faktorësh si afërsia gjeografike me Kolumbinë, korrupsioni, aleancat e reja kriminale, kartelet meksikane, mosmarrëveshjet mbi rrugët e trafikimit dhe rritja e dhunës shpjegojnë kryesisht rritjen e vrasjeve, veçanërisht në portet e Guayaquil dhe Esmeraldas”, shpjegoi më tej studiuesi Riviera.

Autoritetet ekuadoriane kanë bërë të ditur gjithashtu se vendi do të modernizojë forcat e sigurisë me trajnime ndërkombëtare dhe blerjen e pajisjeve, armëve, municioneve dhe teknologjisë për të forcuar inteligjencën e zbatimit të ligjit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kontrollojnë tregun e kokainës në Britani"

Mediat spanjolle shkruajnë për bandat shqiptar