Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara me Dialogun Strategjik hapin një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe u zotuan për thellimin dhe avancimin e mëtejshëm të partneritetit dypalësh, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Qeveritë e dy vendeve kanë lëshuar dje një deklaratë të përbashkët me rastin e takimit të parë të Procesit të Dialogut Strategjik ndërmjet dy vendeve, i cili po mbahet në Uashington, duke riafirmuar marrëdhëniet e forta mes dy vendeve dhe duke shprehur kënaqësinë për promovimin e prioritetet e përbashkëta të sigurisë dhe prosperitetit dypalësh, në kontinentin evropian dhe në mbarë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut, në një deklaratë, përsëritën mbështetjen e tyre të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, zgjedhjen e një të ardhmeje evropiane dhe i bënë thirrje Rusisë që menjëherë t’i japë fund luftës dhe të tërhiqet plotësisht nga Ukraina.
“Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut me këtë deklaratë rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor përmes iniciativave politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe theksuan mbështetjen e tyre për integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit.
Shtetet e Bashkuara theksuan rëndësinë e avancimit sa më të shpejtë të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ata mbështetën përfshirjen konstruktive të Maqedonisë së Veriut në iniciativat rajonale për stabilitet dhe siguri, si dhe synimin e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e Iniciativës tre detërat”, thuhet në deklaratë.