MENU
klinika

Media gjermane analizon ngjarjet e fundit

“Këto ditë edhe rusofilët serbë kanë marrë një mësim…”

07.06.2022 - 22:23

Qëndrimet e Serbisë ndaj Moskës kanë nxitur shumë reagime sidomos nga vendet e BE por edhe SHBA.

Mos marrja e sanksioneve ndaj Rusisë, është parë nga Perëndimi si tentativë e Beogradit për të “luajtur me dy porta”.

Ndërkohë media gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), është shprehur se presidenti serb ka kohë që po përpiqet të distancohet nga presidenti rus Vladimir Putin, pasi ai nuk është gati të lidhet me Rusinë në mes të luftës pasi kjo mund të sjellë shkatërrimin e ekonomisë serbe.

Sipas gazetës, tregues janë edhe raportet dhe vlerësimet e herëpashershme kritike në “perandorinë e televizioneve, portaleve dhe tabloideve të drejtuar nga bashkëpunëtorët e Vuçiçit dhe që gjithmonë raportojnë atë që ai kërkon. Vazhdimisht theksohej afërsia vëllazërore e serbëve dhe rusëve. Tashmë nuk është më plotësisht kështu. Tone të tilla tregojnë se presidenti i Serbisë nuk është vetëm ideolog në radhë të parë, por edhe pragmatik. Nuk ka kundërshtime për shpalljen e vëllazërisë me Rusinë kur përdoret në politikën e tij të brendshme. Por në mes të luftës, ai nuk dëshiron të hyjë në një vëllazëri gjaku me Rusinë, e cila përfundimisht mund të shkatërrojë ekonominë serbe”, shkruan FAZ.

Gazeta shkruan gjithashtu se Vuçiç së fundmi në mënyrë “demonstrative” ka vizituar refugjatët ukrainas në jug të Serbisë, i ka mirëpritur dhe u ka ofruar të gjithëve ndihmë.

“Deklarata dhe gjeste të tilla ndryshojnë dukshëm nga tonet e ditëve të para të luftës, kur një gazetë veçanërisht besnike ndaj presidentit botoi titullin “Ukraina sulmoi Rusinë”, shkruan FAZ.

Kjo “gjysmë kthesë”, shkruan FAZ, tregon se në kushtet aktuale është shumë e vështirë të ruhet politika e Vuçiçit me luhatje mes Lindjes dhe Perëndimit.

Dëshmi është interesimi i madh nëse kancelari gjerman Olaf Scholz do ta vizitojë Serbinë, shkruan e përditshmja, duke shtuar se në rrugët e Beogradit dëgjohet se ato vizita nuk do të bëhen nëse Serbia e pret fillimisht ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Gazeta shkruan se në prag të vizitës së anuluar të Lavrovit, Vuçiç tha se mungesa e Scholz-it do të ishte një lajm i keq dhe në mënyrë profetike tha: “Të shohim nëse Lavrov do të vijë fillimisht dhe pastaj do të shohim”.

Duke vënë në dukje se Lavrov në mars e vlerësoi vendimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, FAZ vlerëson se tani mund të ndodhë që Kremlini të mos i pëlqejë disa vendime të ardhshme të Serbisë.

E përditshmja gjermane kujton se në vitin 2017, Vuçiç citoi një thënie që i atribuohet shkrimtarit amerikan Ambrose Beers, se “lufta është mënyra e Zotit për t’u mësuar njerëzve gjeografinë”.

“Këto ditë edhe rusofilët serbë kanë marrë një mësim gjeografie – Serbia mund të kufizohet me Rusinë në imagjinatën e tyre, por jo në hartë. Vuçiq e dinte këtë të vërtetë të thjeshtë edhe më parë, dhe ndoshta tani do të veprojë në përputhje me të”, përfundon FAZ.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vuçiç: Situata në Serbi ka ndryshuar për keq

“Deklaratat e Putinit për Kosovën rrisin presionin mbi Beogradin”

Sipas liderit çeçen Kadyrov

“Rusia nuk po e pushton Ukrainën”

Çfarë thotë studiuesi Joseph i “Johns Hopkins”?

“Serbia nuk e pranon rendin Perëndimor”


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë