MENU
klinika

“Qeset masë e parë”

Ministrja e Mjedisit: Do ndalojmë ambalazhet plastike

03.06.2022 - 13:13

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nuk është aspak e surprizuar me faktin që pavarësisht vendimit të qeverisë për ndalimin e përdorimit dhe shitjes së qeseve plastike njëpërdorimshme, ato ende qarkullojnë në treg.

Sipas ministres, nuk mund të presim që brenda ditës, Shqipëria të zhbëjë një zakon disavjeçar, por është e bindur që vendi ynë nuk do të ndalet me kaq.

Në kuadër të angazhimeve për shpëtimin e planetit, ajo angazhohet ta çojë më tej nismën duke e zgjeruar në muajt a vitet në vijim gamën e produkteve apo ambalazheve plastike që do të ndalohen në treg.

Këto deklarata, Kumbaro i bëri në një lidhje me “Skype” për “News 24” nga Suedia, ku merr pjesë në 50-vjetorin e Deklaratës së Stokholmit ku janë mbledhur gjithë ministrat e mjedisit në mbarë botën për të gjetur mekanizmat për shpëtimin e globit nga ndotja.

PRITSHMËRITË

“Nuk besoj se prisnim që në ditën një të zhdukeshin si me magji qeset që prej dekadash i kemi në tregje dhe sot nëpër magazina. Ajo çka ky ligj ndalon është prodhimi, tregtimi dhe importimin që nga dje, të qeseve të lehta nën këto parametra të qeseve njëpërdorimshme.

Ndërsa qeset e tjera që mund të përdoren shumë herë, për transportin e mallrave, ato do të vazhdojnë të jenë në treg”, deklaron e para e Ministrisë së Mjedisit, duke shtuar se nuk ka ndërmend të ndalet me kaq.

Nisma nuk do të zgjerohet me gamën e qeseve të tjera plastike në përdorim, por me produkte të tjera, që do të zëvendësohen me materiale të riciklueshme.

“Kemi hyrë kështu në një masë të parë kundër përdorimit të ambalazheve plastike, që përveç ndalimit ka një efekt shumë të madh ndërgjegjësimi, edukimin për të avancuar në muajt apo vitet në vijim me ndalimin e produkteve të tjera plastike si pjatat lugët plastike, gotat e kështu me radhë dhe me zëvendësimin e tyre me ambalazhe të riciklueshme siç janë druri, letra apo materie të tjera. Kjo është pika në të cilën ndodhemi sot”.

MASAT E MARRA

Zbatimi i vendimit për ndalimin e qeseve plastike, sigurisht, nuk është lënë në ndërgjegjen e popullatës. Janë tri institucione të ngritura posaçërisht për këtë punë, detajet e veprimtarisë së të cilave i thotë ministrja.

“Në zbatim të ligjit, tri institucione janë vënë në veprim. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, inspektorët e së cilës janë në terren duke shpërndarë informacion nëpër dyqane, nëpër pikat e tregtimit dhe konsumatorit, duke shpërndarë postera, materiale informuese, por dhe duke këshilluar. Në dhjetëra qindra dyqane të vogla që i kemi nëpër lagje e rrugica, ndaj komunikimi është më i vështirë”, nënvizon Kumbaro, teksa shton se një pjesë e mirë e punonjësve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në rrethe janë në të gjithë territorin e Shqipërisë çdo ditë, nga 1 qershori duke shpërndarë informacion, por dhe çanta prej tekstili shumëpërdorimshme. Por, jo për shumë gjatë.

“Të kemi kujdes, nuk marrim përsipër të pajisim me çanta 2 milionë e 800 mijë banorë shqiptarë, plus 6 milionë a më shumë turistë që do na vijnë, por këto kanë të bëjnë me shumë me masa ndërgjegjësimi. Nga ana tjetër, Inspektorati Qendror i Tregut është gjithashtu në terren në komunikim me tregjet dhe me shitësit për t’u shpjeguar zbatimin e këtij ligji”.

Një tjetër mekanizëm i sinjalizuar dhe me shumë rëndësi në ndalimin e qarkullimit të qeseve janë doganat.

“Dogana është vënë në punë për të ndaluar importimin e qeseve të lehta njëpërdorimshme që të mos hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Janë këto tri organizma që kanë kompetencën të ndërhyjnë”, shton ministrja.

Në këtë moment të parë, sipas saj më shumë po komunikohet dhe informohet popullata dhe bizneset. Por nuk do të vonojë dita kur do të nisë aplikimi i gjobave me tregtarët, prodhuesit apo importuesit që shkelin këtë ligj, masa gjobe që shkojnë nga 500 mijë deri në 1.5 milionë lekë, sekuestrim të mallit e deri në heqje të licencës. Sipas ministres Kumbaro, Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që e ndërmerr këtë nismë për ndalimin e qarkullimit të qeseve plastike.

CILËSITË E QESEVE QË LEJOHEN

1. Gjatësia e plotë e qeses e lejuar duhet të jetë jo më pak se 50 cm;

2. Gjerësia më e vogël e lejuar e qeses duhet të jetë jo më pak se 24 cm (Pa përfshirë palosjet anësore të qeses);

3. Trashësia e qeses plastike do të duhet të jetë jo më pak se 70 Micron për anë;

4. “Qeset plastike shumëpërdorimshme” nuk duhet të kenë në përbërje aditivë oxo-degradues apo oxo-biodegradues;

5. “Qeset plastike shumëpërdorimshme” do të duhet të kenë të stampuar “vulën” e gjurmueshmërisë së prodhuesit, apo importuesit në vendin tonë.