Më lejoni të shpreh keqardhjen e thellë, për Bashkimin Europian. Më vjen keq për ta dhe shpresoj që të mund t’i ndihmojmë. U përpoqa që të them disa gjëra në takim dhe do të ndaj me ju, disa prej tyre, sepse nuk dua të marr aq kohë sa u mor në takim. Charles Michel na tha se kishim 3 minuta dhe i thashë “Mund të kishte qenë dhe 30 sekonda ,nëse do të mbanin fjalën”, por ata nuk mbajtën fjalën, kështu që 3 minuta, nuk ishin mjaftueshëm.
U thashë që ndjehesha mirë dhe keq, që isha me ta. Ndjehesha mirë, sepse jemi europianë dhe duam të gjendemi mes europianëve, kjo është diçka mjaft e mirë, por ndjehesh keq sepse ende ne, nuk mund të jemi këtu si europianë, por si miq në një shtëpi të ndarë. Është vërtet diçka shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemie në shkallë globale, një sulm tragjik dhe as një luftë kaq kërcënuese që mund të shndërrohet në një luftë tragjiko-globale, nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë. Ç’të bëjmë?
Sigurisht, ne kemi shumë për të bërë dhe nga njëra anë, unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëmë tashmë, për të mbështetur idenë e Presidentit francez Emanuel Macron, për objektiv, që është politik dhe strategjik i dëshiruar moralisht, që është komuniteti i ri politik europian dhe në ndërkohë që ne do vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt antarësimit, me shpresën që shekullin tjetër, do të jemi anëtarë dhe sigurisht, duke u përballur me një “Bullgari” këtu, një “Bullgari” atje e një “Bullgari” të tretë, gjatë rrugës. Ne do ta vlerësonim shumë, nëse ky komunitet i ri politik i Europës, ngrihet për të qenë bashkë në një shtëpi të përbashkët, si një familje e vetme, pavarësisht se jemi në kate të ndryshme, por së paku, në dhomën e ndenjes qëndrojmë së bashku, jo kështu.
Së dyti, sigurisht tema kryesore ishte Maqedonia e Veriut, ishte Maqedonia njëherë e një kohë dhe më pas, 17 vite më pas është ende në pritje si kandidate për çeljen e bisedimeve për antarësim, ndryshoi madje dhe emrin, por nuk bëri dallim. Imagjinoje Francën, të ndryshojë emrin, për t’u bërë anëtare e BE-së, apo Italinë! Ata ndryshuan edhe emrin, ndërkohë që Shqipëria është në pritje qysh prej 8 vitesh tashmë. M’u desh të fitoja një mandat të tretë, që të vazhdoja të prisja për çeljen e bisedimeve për antarësim. Ishte shumë e rëndësishme të thoja të vërtetën, që arsyeja nuk është thjesht Bullgaria, le të themi të vërtetën. Bullgaria është një fatkeqësi, por nuk është vetëm Bullgaria, por është fryma e deformuar e zgjerimit, një frymë tërësisht e deformuar dhe Bullgaria, është shprehja më e dukshme e saj. Fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti tek marrja peng nga shtetet individuale dhe ne e kemi parë. Sa herë që ka diçka që ndodh në një shtet anëtar, menjëherë ky mjet bllokimi vihet në lëvizje.
Kjo çështja e Bullgarisë është një turp, një vend i NATO-s, që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë dhe nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme, së bashku. Më pas, thonë dhe po iu them atë që ju thashë, që Vladimir Putin është shumë sëmurë. Ai mund të jetë sëmurë, mund të jetë shumë mirë, por ky vendi këtu nuk duket shumë i shëndetshëm.
Agresioni rus kundër Ukrainës, po merr kështu një ndihmë mjaft bujare dhe të pakërkuar nga një vend i NATO-s, Bullgaria, për të destabilizuar një vend tjetër të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe për të fryrë më tej mllefin, pakënaqësinë në një fqinjësi si e jona, që është një hallkë e dobët në gjithë këtë situatë.
Ne nuk do të presim Godonë, unë e kam thënë më parë. Më vinte shumë keq, për disa njerëz optimistë dje, që nisën të shkruanin në Twitter, “po ia dalim”, jo. Nuk erdha këtu, me idenë që do ndodhte diçka. Tek Godoja është shumë e qartë, Vladimiri dhe Estragoni, pra Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, janë së bashku dhe Vladimiri i thotë Estragonit “Do të lëvizim?”, ndërsa Estragoni thotë, “Po, le të lëvizim’, por është Samuel Beccheti, Bashkimi Europian, që thotë “Askush të mos lëvizë”. Kështu që, vazhdon kështu.
Ndërkohë që ne kemi lëvizur dhe do vazhdojmë të lëvizim, për të ringjallur këtë frymë të Europës në pjesën tonë, që është “Berlini i Procesit”, kështu e quajmë, “Berlini i Procesit” për të ringjallur këtë frymë dhe nisma e “Ballkanit të hapur” është nisma që kemi ndërmarrë për ta bërë Berlinin konkret në terren.
Kam kërkuar mbështetje të plotë dhe pa ekuivok, për “Ballkanin e hapur”, sepse edhe për këtë janë të ndarë, a thua se do jetojnë në Ballkan e janë të ndarë edhe në raport me Ballkanin, për çfarë bëjmë ne në hapësirën tonë.
Megjithatë, natyrisht dashamirës janë, mos më keqkuptoni. Është një vend i mirë, janë njerëz shumë të mirë, fotot janë shumë të bukura këtu, fjalët janë të bukura, do ishte edhe më bukur nëse do realizonit fjalët, por ne nuk jemi kaq të mirë në Ballkan dhe nuk do heqim dorë, do vazhdojmë dhe një ditë do bëhemi dhe ne anëtarë të mirë të BE-së, sigurisht.
Përtej kësaj, nuk dua të marr më shumë kohë, por thjesht u shpreha dhe thashë edhe dy gjëra të tjera shumë të rëndësishme. Ka një tjetër pengmarrje në proces, që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës, të cilët, nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë. Është popullata e vetme në tokën e Europës, që nuk mund të lëvizë lirisht. Ua thashë atyre “a mund ta përfytyroni që, nën diktaturën jugosllave, në thelb, dy dhe mund të udhëtonin, mund të shkonin në Gjermani, në Zvicër e mund të shkonin kudo dhe punonin me radhë, por qysh kur u liruan, çliruesit, çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng, ata nuk mund të lëvizin”. Kjo është çmenduri, kjo është e turpshme, kjo duhet të marrë fund dhe njerëzit duhet të lejohen të lëvizin lirisht.
Së dyti, m’u desh të shprehja diçka dhe ndihem disi i keqardhur që ishte e nevojshme që të thuhej, se normalisht, gjithkush duhet ta dijë që Serbia është në një pozicion mjaft ndryshe. Serbia është një realitet tërësisht ndryshe dhe u përpoqa t’ju shpjegoj se flasim për një vend ku popullariteti i Vladimir Putin është 80% dhe një vend ku opinioni publik nuk është kaq i prirur të vrapojë pas Brukselit. Është krejt e kundërta, por është një vend, i cili jashtë çdo pritshmërie edhe pritshmërisë sime, se sinqerisht nuk e prisja dhe as nuk e telefonova Aleksandrin sepse kisha frikë se do të më thoshte: “Ndjesë, por na duhet të kalojmë në anën tjetër” dhe kjo do të kishte qenë fundi i çdo marrëdhënieje dhe mendova që do të ishte problem. Tre herë janë harmonizuar me BE dhe Perëndimin kundër Rusisë duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga komiteti për të drejtat e njeriut. E kuptoj kërkesën për të ecur më përpara, por nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufij në raport me kërkesën për sanksione. E kam thënë në Tiranë, e kam thënë në Prishtinë, e kam thënë dhe këtu, sepse Serbia thjeshtë nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufij do t’i japë efektin e kundërt dhe pastaj ajo çfarë do të ketë kosto është agjenda europiane e Serbisë për çka do të jetë tepër do të jetë kosto për popullin e rajonit, që është shumë, shumë e qartë.
Le ta lëmë pavarësisht Ballkanit të Hapur, Procesit të Berlinit dhe kështu me radhë. Ne nuk duam një luftë, ne nuk kemi nevojë për konflikt, për gjakderdhje dhe tensione në rajonin tonë, ndaj duam të ecim më përpara në drejtimin që kemi zgjedhur. Ndaj ua thashë, le ta mbajmë kështu. Ka shumë goditje me të cilat, ata duhet të merren kështu që nuk duhet të nxisin një goditje tjetër. Kjo është ajo çfarë besoj unë.
Kështu që, për ta përmbyllur, thirrja ime e fundit për ta, ishte: Mos lini që besimi që shqiptarët kanë, që kanë një besim shumë të madh te Europa, pavarësisht BE-së, pavarësisht farsave, sepse ne për herë të parë në historinë tonë kemi mundësi të jemi aty ku duam, jo nën regjime, jo nën perandori që zgjedhin për ne. Për ne, Europa është fe. Për ne, Europa nuk është Brukseli. Kështu që shqiptarët do të vazhdojnë, por edhe në Ballkanin Perëndimor ka shumë proeuropianë, Maqedonia e Veriut e kështu me radhë. Lutja ime për ta, ishte: Ju lutemi, mos e lini BE-në, të bëhet si një kongregacion priftërinjsh që diskutonin asokohe seksin e engjëjve, ndërkohë që muret e Kostandinopojës shembeshin. E dimë sesi shkoi historia.