MENU
klinika

Të penduarit, tmerri i bandave

Nga Adriatik Coli, tek Luftar Reçi e Nuredin Dumani: Si u çmontuan grupet kriminale

19.06.2022 - 16:51

Dëshmia tronditëse e Nuredin Dumanit ka zbuluar jo vetëm përfshirjen e tij në një seri krimesh të rënda, por edhe mekanizmin se si funksionojnë organizatat kriminale dhe si lajnë hesapet mes tyre. Dhjetëra urdhër-arreste u firmosen, pasi Dumani pranoi të bashkëpunojë dhe të marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Një i penduar duhet t’i nënshtrohet procedurave ligjore që fillojnë nga ndryshimi i identitetit dhe marrjen në mbrojtje të familjarëve të tij, deri në ndryshim vendbanimit dhe strehimi në ato shtete me të cilat Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për mbrojtjen e dëshmitarit. Megjithatë ndihma e dhënë nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, vjen me një kosto përmes programit financiar të parashikuar në legjislacion.

Ekspertët pranojnë se numri i bashkëpunëtorëve të drejtësisë është rritur që nga 2004 kur u krijuan për herë të parë kushtet për mbrojtjen e dëshmitarëve.

EUGEN BECI
ISH-PROKUROR I KRIMEVE TE RENDA
“Që nga viti 2005-2006 ka pasur një bum të penduarish të cilët kanë vazhduar deri në vitin 2013-2014 dhe më tej. Janë me dhjetra dhe nuk mund të ketë një shifër të saktë pasi ligji mbron ekzaktësisht identitetin, numrin dhe gjithccka ka të bëjë me dëshmitarët e drejtësisë.”

SKERDIAN KURTI
PROFESOR KRIMINOLOGJI-PENOLOGJI
” Askush nuk i di kush janë bashkëpunëtorët e drejtësisë për shkak se mbi ta rëndon një sekret profesional që kush e shkel atë sekret mund të dënohet.”

Por, sa rrezikojnë bashkëpunëtorët duke dëshmuar krimet ku kanë marrë pjesë dhe organizatorët e tyre?

EUGEN BECI
ISH-PROKUROR I KRIMEVE TE RENDA
” Rreziku sigurisht që për ta dhe familjarë të afërm, jo vetëm nëpërmjet presionit por edhe të rrezikut fizik, të integritetit të tyre fizik të drejtpërdrejtë është shumë i madh.”

SKERDIAN KURTI
PROFESOR KRIMINOLOGJI-PENOLOGJI
“Ata që pendohen vërtet sepse duan të bashkëpunojnë me drejtësinë, ata kanë një rrezik tepër të madh për veten e tyre dhe familjarët e tyre.
Grupi i dytë është shumë më shumë i riskuar. Janë ata që e ndjejnë rrezikun edhe nëse nuk do bashkëpunonin me drejtësinë. Janë grup që kërcënohen jashtë, nga anëtarë të organizatave të ndryshme kriminale por edhe anëtarë të organizatës së tyre kriminale.”

Ndër vite kanë qenë disa bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë “çmontuar” bandat dhe grupet e krimit të organizuar. Bujar Buzani rrëfeu vrasjen e 6 gardistëve dhe plagosjen e 16 të tjerëve në Cërrik të 1997. Adriatik Coli çoi pas hekurave disa prej anëtarëve të bandës së Durrësit.

Petrit Lici fundosi kreun e bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Ndriçim Gjokona zbërtheu grupin e vrasësve me pagesë, pjesë e të cilit ishte dhe bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Julian Sinanaj. Një tjetër i penduar Luftar Reçi, rrëfeu vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.