MENU
klinika

Hyn në fuqi vendimi për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit

Nga sot hiqen nga qarkullimi qeset plastike!

01.06.2022 - 09:20

Nga sot do të hiqen nga qarkullimi qeset plastike njëpërdorimëshe. Qeset do të vijojnë të jenë në qarkullim, me përjashtim të atyre të biodegradueshme. 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, që e ka bërë me dije më herët se nisma ligjore nuk ndalon gjithë gamën e qeseve në qarkullim, por vetëm ato njëpërdorimshme, me trashësi deri në 70 mikronë.

“Qeset e trasha, çantat e trasha plastike që janë shumëpërdorimshme, nuk ndalohen”, citoi ministrja në fillim të këtij viti, një muaj përpara miratimit të ligjit në Kuvend, ndërkohë që dokumenti në fjalë miraton specifikimet e qeseve të lejueshme në qarkullim. “Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi, qeset plastike mbajtëse dhe qeset plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme, me trashësi për çdo anë 70 dhe më të madhe se 70 mikron, me kapacitet mbajtës 10 dhe mbi 10 kilogramë, me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia, pa përfshirë gjerësinë e palosjes”, citohet në vendim.

Më konkretisht, bëhet fjalë për qeset njëpërdorimshme të holla që jepen në supermarket për frutaperime dhe të ngjashmet e tyre në dyqanet e vogla të lagjeve. Çdo qese tjetër me përmasat e cituara më lart konsiderohet shumëpërdorimshme dhe nuk do të jetë e ndaluar

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, është vlerësuar se në Shqipëri çdo njeri përdor mesatarisht 3 qese plastike në ditë, që përkthehet në rreth 3,2 miliardë qese në vit, ose 26.280 tonë qese plastike. Kjo sasi është krejt e panevojshme dhe e shmangshme, sipas tyre, pasi ato hidhen në kosh menjëherë pas përdorimit.

PENALITETE

Me nismën e dytë të qeverisë, të vulosur edhe në Kuvendin e Shqipërisë, paracaktohet që penalitetet të jenë jo vetëm për atë që shet një produkt me qese plastike njëpërdorimshme, por edhe për ata që blejnë, konsumatorët. Për këtë të fundit parashikohet dënim me gjobë deri në 500 mijë lekë, ndërsa për prodhuesit dhe importuesit gjoba deri në 1.5 milionë lekë.

Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet, sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet, do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit. Vendimi ngarkon disa institucione: Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Drejtorinë e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencitë Rajonale të Mjedisit, të cilat duhet të raportojnë periodikisht çdo javë, duke filluar nga nesër pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


‘Ndalohen përfundimisht qeset plastike’

Rama mesazh industrive të prodhimit: Keni 9 muaj kohë!