Kanë nisur punimet në samitin e Ballkanit të Hapur që po zhvillohet në Ohër. Në samitin e Open Balkan merr pjesë për herë të parë Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovin, ndërsa krerët e shteteve pjesëmarrëse janë takuar së bashku.
I pranishëm në takim është edhe Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.
Kësaj here, veç tri shteteve themeluese, Serbisë, Shqipërisë e MV, marrin pjesë edhe dy shtetet që e kanë refuzuar deri më tani iniciativën, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.Sipas axhendës mësohet se Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës do të jetë i pranishëm me një video-mesazh. Kurse Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, mbërriti që dje në Ohër.
Nga Presidenca e Serbisë kanë njoftuar se Presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, do të takohet edhe me Kryeministrin Abazoviç dhe Tegeltijn. E vetmja që ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj tryeze rajonale të Ballkanit Perëndimor është Kosova. Kryeministri kosovar, Albin Kurti, i ka kthyer një përgjigje negative ftesës së bërë nga homologu i MV Dimitar Kovaçevski. Axhenda e Samitit filloi dje pasdite, teksa sot zhvillohet tryeza e takimeve, që nis në orën 10:00.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të japin nga një mesazh online. Në orën 13:35 është parashikuar edhe konferenca e përbashkët e tre kryeministrave. Në orën 15:35 zhvillohet dhënia e çmimit të lidershipit rajonal për nismën e Ballkanit të Hapur për Kryeministrin Kovaçevski, Presidentin Vuçiç, Kryeministrin Rama dhe ish-Kryeministrin Zaev nga kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, z. Branko Azeski, në 100-vjetorin e dhomës së tyre. Nisma do të mbyllet me një eksplorim me varkë të burimeve të liqenit të Ohrit.
Rama, Vuçiç dhe Kovaçeski do të firmosin edhe tri marrëveshjet e tjera lidhen me njohjen e ndërsjellë të diplomave të studentëve, si dhe bashkëpunim në sektorët e turizmit dhe atë të kulturës. Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara, nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.
AXHENDA
10.00 – Hapja e samitit “Open Balkan” (Vendi: salla “Biljana”,
hotel “Metropol”)
10.45 – Seanca e parë plenare: Turizmi (Vendi: Salla “Biljana”)
11.15 – Seancë koordinuese e liderëve me komunitetin
ndërkombëtar
12.15 – Seanca e dytë plenare: Kultura (Vendi: Salla “Biljana”)
12.30 – Mundësi për takime bilaterale të liderëve
13.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve
13.35 – Konferencë për shtyp e tre liderëve
14.45 – Vizitë në manastirin e Shën Naumit
15.05 – Eksplorim i burimeve të liqenit të Ohrit me varkë
15.35 – Dhënia e çmimit të lidershipit rajonal për nismën e
Ballkanit të Hapur për Kryeministrin Kovaçevski, Presidentin
Vuçiç, Kryeministrin Rama dhe ish-Kryeministrin Zaev nga
kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, z.
Branko Azeski, në 100-vjetorin e dhomës së tyre
CEREMONIA E NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJEVE
Marrëveshja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor
në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe notave
shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë
dhe të tjera institucione të autorizuara
Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e
turizmit në Ballkani Perëndimor
Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në
Ballkanin Perëndimor
Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor