Protesta e veteranëve të UCK-së para kuvendit të Kosovës është përshkallëzuar. Numër i madh i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë parë teksa kanë hyrë në oborrin e Kuvendit.
Veteranët janë duke tentuar që të hyjnë brenda objektit të Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e tyre në ligjin për pagën minimale.
Policia është detyruar sërish që të përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët po vazhdojnë të mos largohen.
Më herët u raportua se edhe një zyrat policor është lënduar gjatë përballjes me protestuesit.
Pensioni i veteranëve është i njëjtë me pagën minimale në Kosovë, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës dhe se janë detyruar të dalin në protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.