MENU
klinika

Ylli Pata

Presidenti i ri? Lajmi më i rëndësishëm nesër në Kuvend vjen nga opozita!

03.06.2022 - 19:05

Konfigurimi i nesërm i qëndrimit opozitar për Presidentin e ri, ndërsa duket paksa i përmbysur në fakt nuk është i tillë.

Sali Berisha ka vendosur që të qëndrojë në seancë, ndërsa Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se PD do të bojkotojë seancën e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Një qëndrim që edhe pse në dukje tregon për “pëllumba e skifterë”, realisht është ndoshta zhvillimi i dytë më i rëndësishëm politik që do të dalë nga séance e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Natyrisht emri i kreut të ri të shtetit, detajet e CV-ja e tij, si dhe votimi i deputetëtëve të mazhorancës do të marrë pjesën e luanit të seancës së nesërme të Parlamentit. Por gjithashtu pritet që të mësojmë realisht, se kush janë ata deputetë që i shkojnë pas Sali Berishës.

I cili me dinakëri ka zgjedhur të mos e bojkotojë seancën, pasi ka marrë vesh që Alibeaj nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. U pa e qartë tashmë, se opozita, më saktë PD-ja po e përdor zgjedhjen e Presidentit si një mjet të përlasjes së brëndshme.

Nuk dihet tamam tamam kush e ka marrë vendimin i pari nga dy grupimet e PD-së: Berisha apo Alibeaj, por fakt është se zhvillimi i dytë më i rëndësishëm se zgjedhja e kryetarit të ri të shtetit, është se kush është përfundimisht me Sali Berishën nga deputetët e opozitës.

Berisha është treguar shumë dinak, pasi në seancë nesër do të jenë deputetët e grupit të Fatmir Mediut, që përveç kreut të PR-së, Agron Dukës, Dash Shehit e Vangjel Dules që gjithsesi janë zgjedhur nga listët e PD-së, marrin pjesë edhe tre deputete të Partisë Demokratike: Merita Bakiu e qarkut Krujë, Emilja Koliqi e Shkodrës dhe Elda Hoti e Lezhës, që zëvendësoi Mark Markun.

Ndëkaq, prezent do të jetë edhe grupi tjetër parlamentar i Mesila Dodës, ku përveç saj dhe Shpëtim Idrizit që janë zgjedhur nga listat e PD-së marrin pjesë edhe deputetët demokratë: Ilda Dhori e Fierit, Nusret Avdulla i Fierit, Kasëm Mahmutaj i Fierit, Andia Ulliri e qarkut Durrësit dhe Seladin Jakupllari i Pogradecit.

Pra bëhet fjalë për më shumë se 14 deputetë të opozitës që janë prezent duke ju shtuar numrit 12 të parlamentarëve që Berisha ka me vete. i cili duket kërkon ta përdorë si truk për të fshehur një minus të madh, përpara mbledhjes së kryesisë, ku foltorja është përfshirë në një luftë civile.

Megjithatë, sido që Berisha ta përdorë këtë lojë, nesër do të regjistrohet në mënyrë të qartë se kush janë deputetët që nuk duan të jenë në një rresht me politikanin e ndëshkuar nga qeveria amerikane. Deri tani, mjaft deputetë: si për shembull Saljanji e Grida Duma apo edhe të tjerë kanë luajtur me sofizma.

Por nesër gjërat janë të qarta: kush nuk është në seancë nuk është me Sali Berishën, kush është pjesëmarrës mund të jetë me të, por edhe kundër tij, si partitë e vogla. Në një farë mënyrë, përveçse sa është e bashkuar mazhoranca socialiste, ku nuk kanë munguar zëra që mund të refuzojnë propozimin e Edi Ramës, do të dijmë sa është grupi parlamentar i Partisë Demokratike që përkrah Perëndimi.

Dhe me daljen e Ilir Metës nga presidenca, do të jetë edhe më e qartë se kush është pjesa tjetër që refuzon përplasjen me SHBA-në e BE-në. Një qartësim i cili dotë sjellë realisht zhvillime krejt të ndryshme në sezonin e ri politik të vjeshtës. i cili, edhe nëse SPAK nuk do të njetë aktiv gjatë verës, gjithsesi do të krijojë konfiguracione të reja…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN