Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje BE-së për të liberalizuar vizat.
Në një prononcim për mediat nga Brukseli, ajo u shpreh se Kosova ka nevojë për një zë të fortë nga BE.
Pyetje: Cilat janë pritjet tuaja për liberalizimin e vizave?
Osmani-Sadriu: Ne shpresojmë shumë për liberalizimin e vizave, megjithatë nuk duam të rrisim pritjet në këtë kohë, sepse ky proces nuk është në dorën tonë. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, para katër viteve. Ne u jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të vendeve anëtare dhe tani është koha që vendet anëtare vërtetë të mbështesin këtë proces, sepse është padrejtësi e madhe që u është bërë qytetarëve të Kosovës. Bëhet fjalë për principin bazik të lëvizjes së lirë. Qindra miliona njerëz nga Evropa dhe madje edhe jashtë Evropës, madje deri në Venezuelë, kanë lëvizje të lirë dhe qytetarët e Kosovës, më pak se 2 milionë, ende nuk e kanë atë të drejtë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret, para katër vjetësh. Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave, Parlamenti Evropian ka mirëpritur dhe ka votuar në favor të liberalizimit dhe unë mendoj se është çështje kohe që vendet anëtare të dëgjojnë gjithashtu edhe zërin e njerëzve të vet që është reflektim i vendimeve të parlamentit.
Ndër të tjera, Osmani ka mbështetur dhe integrimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Osmani-Sadriu: Jam këtu për të dhënë një mesazh të fortë në emër të qytetarëve të Kosovës, sepse këtu është vendi që përkasim, në mesin e familjes së kombeve. Të kësaj familjeje evropiane për të cilën kemi kontribuar ndër shekuj e për vlerat mbi të cilat sot BE-ja qëndron. Qëndroj sot këtu për të dhënë edhe një mesash të fortë në emër të qytetarëve të Kosovës, sepse kemi nevojë për një zë të qartë nga BE-ja, kemi nevojë për një mesazh unik nga BE-ja, për Ballkanin perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë që lihet, për faktorët e tjerë malinj, është e qartë se ata do ta përdorin. Shpresoj se do të dëgjojmë një perspektivë të qartë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së
Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që presin të marrin datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim?
Osmani-Sadriu: Është e qartë se kjo është çështje për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe për liderët e Maqedonisë së Veriut, që të flasin e këtu do të dëgjojmë deklarimet e tyre kur ata të mbërrijnë. Por ajo që mund të them është se ne mbështesim fillimin e bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendoj se është vetëm çështje kohe kur të gjithë ne do të lëvizim përpara. Shtetet demokratike nga rajoni i Ballkanit perëndimor që kanë treguar vlera të Bashkimit Evropian, duhet të lëvizin përpara. Shpresoj se vendet anëtare të BE-së do ta japin sot atë mesazh të qartë.