Ka nisur në ambientet e sheshit Skënderbej, dita e dytë e protestës kundër rritjes së çmimeve në vend.
Me një banderolë të madhe “S’mban më ujë pilafi”, qytetarë të paktë në numër kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me krizën e çmimeve.
Një protestues deklaroi gjatë fjalës së mbajtur, se shteti shqiptar nuk i njeh qytetarët si qenie njerëzore, pasi nuk njeh minimumin jetik.
“Në bazë të statistikave për sa i përket të ardhurave për frymë shqiptarët janë të fundit në Evropë. Janë të fundit në Evropë por dhe në Ballkan për sa i përket pagës minimale.
Është një nga shtetet që nuk e njeh si qenie njerëzore, nuk e njeh minimumin jetik. Ne si të rinj po të shkojmë të flemë në një lulishte në Gjermani, shteti gjerman të njeh si qenie njerëzore dhe të jep 400 euro.
Ndërsa në Shqipëri shteti të braktis dhe të thotë ulu e vdis te cepi i trotuarit. Ky shtet që ti i paguan 20% taksë”, tha një prej protestuesit.
Pas grumbullimit në sheshin Skënderbej, qytetarët nisën marrshim drejt Kryeministrisë.