MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Pse dëmtohen menisqet?

13.06.2022 - 11:35

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Pse dëmtohen menisqet?

Mjeku: Menisqet mund të dëmtohen në çdo moshë, por shkaqet që shkaktojnë dëmtimin janë të ndryshme për çdo grupmoshë. Në personat e rinj menisqet janë struktura të forta e të rrëshqitshme. Rupturat (çarjet) e menisqeve në pacientët nën 30 vjeç zakonisht ndodhin si pasojë e lëvizjeve të forta përdredhëse. Në grupmoshat e reja rupturat e menisqeve ndodhin më shpesh nga një aktivitet sportiv. Mund të rupturohet (çahet) plotësisht buza e brendshme e meniskut medial (të brendshëm)  që quhet rupturë në formën e dorezës së kovës. Buza e brendshme e meniskut mund të rupturohet dhe në mënyrë të pjesshme.

Indi nga i cili përbëhen menisqet dobësohet me kalimin e moshës duke çuar në degjenerim ose dhe rupturë (çarje) të meniskut dhe mjafton një dëmtim i lehtë për ta dëmtuar atë. Shpesh nuk gjendet një shkak specifik që ka çuar në çarjen e meniskut degjenerativ. Këto lloj rupturash/çarjesh të meniskut vërehen shpesh si pjesë e osteoartritit në moshat e vjetra. Rupturat degjenerative bëjnë që menisku të tensionohet dhe të çahet në shumë drejtime.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.