Nikollë Loka
Av. Alfred Duka
Nikolin Kurti
Pjesa e tetë
Dom-Shtjefen-Kurti-dhe-Dom-Luigj-Gashi-ne-Gurez
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Vijon nga numri i kaluar
Sekuestrim i paligjshëm i pronave të institucioneve fetare!
Memorie.al / Kushtetuta nuk parashikonte ndërhyrje në pronën e institucioneve fetare në vend, por duke u mbështetur në shprehjet “mund të kufizohet dhe tjetërsohet prona”, shteti ka shfrytëzuar rastin për konfiskimin e pasurisë kishtare në vitin 1946, për të cilën na flet letra e Ipeshkëvijve të Shqipërisë, dërguar Qeverisë rreth këtyre problemeve. Kisha Katolike, e cila në legjislacionin e Mbretit Zog nuk figuronte si person juridik, në këtë drejtim pati humbje jashtëzakonisht të mëdha. Konfiskim i pasurisë kishtare nëpër famulli, kuvende, shkolla, kolegje, jetimore, etj., nga muaji prill i vitit 1946 e në vazhdim, ishte si një masë shtrënguese krahas arrestimeve, dënimeve dhe ekzekutimeve të klerikëve, të akuzuar për veprimtari kundërrevolucionare në lidhje me bashkëpunimin e tyre me ‘Ballin’, Legalitetin, organizatën ‘Bashkimi Kombëtar’ dhe më imperialistët anglo-amerikanë, siç theksohet në një raport të vitit 1967.
Në një fazë të dytë, autoritetet shtetërore shtrinë dorën mbi pronat e Kishës Katolike, duke kërkuar që t’u jepet atyre përkohësisht në përdorim për shkak të nevojave të ngutshme shtetërore, por sapo e fusnin në dorë atë pronë e “shtetëzonin”, duke i “shpronësuar” pa ligj klerikët që ishin pronarët e vërtetë.
Me 3 janar 1945, Shtjefën Kurti njofton autoritetet shtetërore se: Misioni i Jezuitëve në Tiranë, ishte kthyer në kafaz pëllumbash, ku hynin e dilnin gjithfarë njerëzish të panjohur, që së paku në fillim kishin kërkuar leje dhe, ndërkohë sallonin e teatrit e kishin kthyer në kuzhinë. Kurti kërkon që pronat e Jezuitëve të kthehen menjëherë në kushtet e mëparshme të përdorimit, pasi qetësia e jetës në Kuvend ishte trazuar tepër. Problem të njëjtë kishin Murgeshat Stigmatine të Korçës, të cilat kishin lajmëruar me nxitim Zyrën Famullitare të Tiranës, se kishin marrë urdhër prej Këshillit të atij qyteti për, të pranuar në shtëpinë ku ato banojnë, dy familje dhe ato për veten e tyre të jetonin vetëm në një dhomë, s’bashku me një tjetër që shërbente si kapelë (kishë e brendshme).
Shpronësime të objekteve kishtare kishin ndodhur edhe në Vlorë, Lushnjë dhe Fier, siç del nga letrat që i dërgohen Dom Shtjefnit nga klerikët dhe murgeshat e këtyre qyteteve:
Tiranë 13.II.1945
Prot.Nr.94/45
Pt. Zyrës Ordin. Arqip. të Durrësit në Delbnisht
Asht kenë në Tiranë Fr. Antonio di Natale, Fratel i Lushnjes, i cili më njoftoji se po e ve në dijeni Atë Zyrë Ordinarjate Arqipeshkvnore:
Misionit Latin të Vlorës i kje marrë prej Qeverisë nëpërmjet të Partizanëve gjithçka kanë pasë, sende të tyre personale si edhe të tanë korendin e Misionit.
Misionit Oriental të Murgeshave, idem, ato nuk kanë as këmishë me ndrue.
Misionit të Murgeshave latine të ashtu quajtura “Suore del Giglio” idem.
Në Lushnje Atit Epruer, i kje urdhnue mes me përbuejtë italjan dhe mos me bisedue me ta; po ashtu i kje ndalue fratelit infermier me vazhdue shërbimin e vet pranë të smutve.
Në Fieri shtëpia e Misjonit kje rrethue tue cite si shkak gjoja me lypë aparat transmetues të radios.
Kato sa për dijeni t’Asaj P.T. Zyre ordin. Arqip.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Tiranë, 16.VI.45
Letër nr.191/45
I nënshkruemi, Kryetar i Komunitetit Katolik dhe Famullitar Dekan, ka nderen me i parashtrua Atij Dikasteri të Naltë sa vijon:
Selia e Shejtë e Romës, ka pas dërgue si Misionar të ritit oriental në Vlorë, dy Eten Konventual dhe nandë Murgesha “Pikola Operde del Secra Soure di Gesu”.
Tani si Konventualeve ashtu edhe Murgeshave u asht caktue qi me 25 të këtij muaji të lanë Shqypninë.
Pose kësaj, policia e qytetit, Bat. III me anën e Komisarit të Batalionit, u ka dhënë urdhën mos me guxue me shitë asgjë-send dhe as mos e largue nga shtëpia.
Gjithashtu po këtë urdhun, ua ka dhanë Këshilli Ekzekutiv i N/Prefekturës, e tue u shprehë se për atë masë kishin marrë udhëzime nga Ministria e Arsimit.
I nënshkruemi, i ngarkuem me mbrojt të gjitha pasuritë e Misioneve të Jugut, të tundshme e të patundshme, lutë Dikaster të Kryeministrisë, qi të napin urdhrat e duhuna, ku duhet qi gjithçka të na dorzohet si nga Konventualet si dhe nga Murgeshat dhe qi askush tjetër mos të ndërhyjë për çka ma sypër.
Kryetari i Komunitetit Katholik të Tiranës Don Shtjefën Kurti
Për të zgjidh problemin e zaptimit të Shpisë së Misionit Shëtitës, kryetari i tij P. Gjon Karma, i drejtohet Don Kurtit që me autoritetin e tij të ndërhynte pranë autoriteteve shtetërore:
Tiranë 29/X/1945
Shum të Ndertit
Don Shtjefen Kurti
Kryetar i Komunitetit Katolik
Tiranë
Qysh në kallnduer të vjetit vazhdues, Ushtrija Nacjonal Çlirimtare na ka zaptue Shpin e Misjonit Shëtitës Shqiptar në Shkodër; pike ma së pari për me shti mbrende Spitalin Ushtarak, e qysh në muajin e gushtit, autoritetet e vendit kanë shti mbrendë Komandën e Qarkut.
Për shkak të zaptimit të Shpisë na asht dashtë me shpërnda personelin e këtij Instituti Fetar e Papnuer tue pezuellue aktivitetin e veprës gjashtëdhjetëvjeçare.
Ju lutem, si Kryetar i Komunitetit Katholik të Tiranës, të keni mirësinë me ndërhy e me ba hapat e duhun pranë Autoriteteve kompetente qeveritare të Kryeqytetit qi, të na lirohet Shpija në fjalë ma parë, qi të mundemi me mbledhë personelin e shpërndamë e me fillue rishtas veprimin tonë fetar.
Kryetar i Misionit Shëtitës Shqiptar
P.Gjon Karma S.J.
Don Shtjefni menjëherë e paraqet rastin me një shkresë zyrtare para Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare:
Tiranë 3.XI.1945
Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë
Prot.Nr.345/45
P.T. Komandës së Përgjithshme t’Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Tiranë
Kryetari i Misionit Shëtitës Shqiptar në Shkodër, Pater Gjon Karma, jezuit, na shkruan më 29.X.1945, se qysh në kallnduer të v.v., Ushtrija Nacjonal Çlirimatre u paskan zaptue Shpinë e Misionit Shëtitës Shqiptar, pikë ma së pari për me shti mbrendë Spitalin Ushtarak, e qysh në muajin e gushtit autoritetet e vendit kanë shti mbrendë Komandën e Qarkut.
Për shkak të zaptimit, vazhdon shkresa e Pater Gjon Karmës, na asht dashtë me shpërnda personelin e këtij Instituti Fetar e Papnuer, t’ue pezullue aktivitetin e veprës gjashtëdhjetëvjeçare.
I nënshkruemi lut atë Komandë të Përgjithshme që: të napi urdhunat e duhuna për lirimin e shpis në fjalë, mbasi tesh nuk asht ajo nevojë urgjente si në kohnat e para të lirimit t’Atdheut prej zgjedhës së huej. Lirimi i shpis në fjalë, ka me na dhanë mundësi me mbledhë personelin e shpërndamë e me fillue rishtas veprimin tonë fetar, të pezullue pothuej tesh nji vjet. Memorie.al
Kryetari i Komunnitetit Katholik të Tiranës e Famullitar Don Shtjefën Kurti
Vijon numrin e ardhshëm