MENU
klinika

Nga The Washington Post

Putin përdori çdo mjet, tani po “luan” me urinë globale!

10.06.2022 - 09:30

Mes luftës mizore të Vladimir Putinit kundër Ukrainës, një gjakderdhje e pakuptimtë dhe përpjekje për të shtypur një komb, presidenti rus kërcënon gjithashtu të shkaktojë uri dhe mungesë ushqimi.

Ka ardhur koha që pjesa tjetër e botës të ndërmarrë veprime konkrete si përgjigje.

Ukraina është një furnizues kryesor global i grurit, farave të lulediellit dhe drithërave që përdoren për të ushqyer kafshët.

Rusia ka bllokuar eksportin e drithit nga porti kryesor i Ukrainës në Odessa, duke sulmuar dhe shkatërruar sistematikisht objektet e magazinimit të grurit, si dhe duke vjedhur drithë gjithashtu.

Putin po përdor pa mëshirë urinë si një taktikë lufte, një përpjekje perverse dhe brutale për të shtypur shpirtin e Ukrainës dhe për të shantazhuar pjesën tjetër të botës.

Është sugjeruar që për të lehtësuar rrezikun e urisë dhe për të rritur furnizimin me ushqim në botë, sanksionet duhet të lehtësohen ndaj eksporteve bjelloruse të potasit, që përdoret për plehra industriale, ose që të krijohet një korridor për eksportet e Ukrainës përmes Bjellorusisë në portet e Balltikut.

Sanksionet ndaj Bjellorusisë ishin rezultat i diktatorit Alexander Lukashenko që vodhi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe shtypjes së tij ndaj lëvizjes demokratike të kombit të tij. T’i japësh Putinit dhe Lukashenkos një pauzë tani për shkak të rrëmujës që ata krijuan do të ishte krejtësisht e gabuar.

Në vend të kësaj, liderët botërorë duhet ta bëjnë Putin përgjegjës për këtë fatkeqësi.

Pjesa më e madhe e globit varet nga ushqimi i tregtuar përtej kufijve dhe i ndikuar nga rritja e çmimeve. Siç na kujtoi kohët e fundit David Beasley, drejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, laku i rritjes së çmimeve do të mbysë ato vende që kishin vuajtur efektet e mungesës, luftës, ndryshimeve klimatike, pandemisë dhe rritjes sq çmimeve të karburanteve. Sipas Economist, numri i atyre që vuajnë nga “pasiguria akute ushqimore” – është rritur nga 108 milionë në 193 milionë gjatë pesë viteve të fundit dhe lufta e Putin do të rrisë shifrat.

Është koha që vendet e prekura t’i luten Putin të ndalojë çmendurinë.

Një sërë kombesh në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Lindore do të ndjejnë një krize ushqimore.

UN Official Warns Of Food Crisis As 25 Mn Tonnes Of Grain Remain Stuck In Ukraine Amid War

Egjipti merr 85.6 për qind të importeve të grurit nga Rusia dhe Ukraina. Presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sissi duhet të trokasë në derën e Kremlinit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është përpjekur të negociojë një korridor daljeje për grurin ukrainas përmes Detit të Zi dhe duhet të vazhdojë me të.

Presidenti Xi Jinping i Kinës duhet t’i tregojë “mikut të tij të mirë” Putin se rritja e urisë globale do ta bëjë atë armik.

Kapanonet e Ukrainës janë plot dhe një korrje tjetër po afron, por porti kritik i Odesës është minuar për të parandaluar një pushtim rus dhe Rusia bllokon Detin e Zi.

Do të ishte e ndërlikuar të krijoheshin autokolona detare për të eksportuar në mënyrë të sigurt grurin nga Ukraina, por të gjitha opsionet dhe rrugët duhet të shqyrtohen.

Nuk ka përgjigje të lehta, por siguria ushqimore e miliona njerëzve është në rrezik, dhe shkaku kryesor i mjerimit të tyre është një burrë në Kremlin.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Financial Times/ Jo vetëm ‘naftë dhe kallashnikov’

Rusia po mbjell farën e “diplomacisë së grurit”