MENU
klinika

"Nuk pritëm pushtimin në Ukrainë ta mësonim, por..."

Rama flet për raportin mes Serbisë dhe Rusisë, përmend e Kosovën

08.06.2022 - 10:45

Kryeministri Edi Rama, në samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka folur dhe për marrëdhënien e Serbisë me Rusinë, si dhe me Kosovën. Në fjalën e tij Rama tha se nuk u prit lufta për të mësuar se si Serbia i ka këto raporte me dy shtetet. Ndërsa e quajti të neveritshme retorikën në fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, të disa zërave që u përpoqën sipas tij ta importonin konfliktin në Ballkan.

Edi Rama: “Përtej të gjithë miqve dhe partnerëve të rëndësishëm për në Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tanë, për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë e në të cilën nesër fëmijët tanë do marrin në duar fatet e vendeve tona.

Këtë e dinë mirë shqiptarët e Shqipërisë që në këshillimin kombëtar ishin mbi 60% në mbështetje të Ballkanit të Hapur, që e kalon mbështetjen që ka qeveria dhe një shifër që jam i bindur do jetë më e lartë sikundër do ishte më e lartë nëse nuk do ishte bërë
në fillim të pushtimit të Ukrainës ku filluan e zëra të dëshiruar për ta importuar konfliktin nga Ukraina në Ballkan përmes një retorike që është absurde dhe më falni ta them por është e pështirë.

Ne e dimë shumë mirë, s’kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që ka Serbia me Rusinë, nuk pritëm luftën për të mësuar se mes Serbisë e Rusisë ka një histori, se mes Serbisë e Kosovës ka një konflikt ende të pazgjidhur.

Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe kthimit të syve drejt të ardhmes ne kemi zgjedhur këtë të dytën.

Dhe sot jemi këtu pikërisht se duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura por të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi, nëse ditë për ditë kuptojmë më mirë sa të rëndësishëm jemi për njëri tjetrin”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN