Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pritet të bëjë thirrje për më shumë armë të rënda, kur t’i adresohet grupit të shtatë shteteve më të industrializuara të hënën. Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.
Adresimi i tij vjen pas një morie sulmesh ruse me raketa në Kiev, dhe zona tjera përgjatë fundjavës, nga të cilat ka mbetur i vdekur të paktën një person. Në lindje të Ukrainës, Rusia ka fituar kontroll të plotë të Severodonjeckut, dhe është duke shënjestruar Lisiçanskun. Të dielën, Zelensky ka thënë se vonesat në dërgim të armëve janë “ftesë për Rusinë që të sulmojë sërish”.
Në adresimin e tij ditor, ai ka bërë thirrje për sisteme ajrore për mbrojtje dhe sanksione të reja ndaj Rusisë. “Partnerët duhet të veprojnë më shpejt, nëse janë vërtet partnerë, jo vëzhgues”, ka thënë ai.
Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së G7-ës dhe vendet pjesëmarrëse pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake për Kievin, si dhe më shumë sanksione për Moskën. Liderët perëndimorë janë duke tentuar të shpërfaqin një front të bashkuar, pasi kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se sulmet ruse me raketa tregojnë se “ka qenë vendim i drejtë që të bashkohemi dhe të mbështesim ukrainasit”. Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka menduar se NATO dhe G7 do të ndaheshin, “mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë”. Pas Samitit të G7-ës, që këtë herë mbahet në Bavari, liderët e NATO-s do të takohen më pas në Spanjë. Edhe aty Zelensky pritet të mbajë një fjalim.
Sulmet në fundjavë
Raketat ruse kanë shënjestruar Kievin dhe qendrën e qytetit Çerkasi, ku të paktën një person ka vdekur. Me raketa janë sulmuar edhe rajonet e Harkivit, Çernihivit, Zhitomirit dhe Lvivit.
Ushtria ukrainase ka thënë se disa raketa janë lëshuar nga bombardueset Tupolev përmes Detit Kaspik, në distancë prej 1,450 kilometrash. Disa raketa tjera që janë lëshuar, kanë kaluar mbi hapësirën ajrore të Bjellorusisë. Një banesë nëntëkatëshe në Kiev është shkatërruar në pjesën e sipërme.
Një vajzë shtatëvjeçare është plagosur dhe i është nënshtruar operimit. Gjendja e saj më pas është thënë të jetë stabile. Nëna e saj – shtetase ruse – është nxjerrë po ashtu nga rrënojat. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se armët me precizitet të lartë kanë goditur qendrat e trajnimit ushtarak në Ukrainë dhe ka mohuar se ka sulmuar civilët.
Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, ka thënë se sulmet kanë qenë përpjekje për të frikësuar Ukrainën para nisjes së Samitit të G7-ës.
Në lindje të Ukrainës, Rusia ka marrë kontrollin e Severodonjcekut, pas disa javësh luftime, që kanë kthyer këtë qytet në gërmadha. Trupat ukrainase besohet se janë tërhequr në qytetin e afërt Lisiçansk. Ky qytet është një prej zonave të fundit në rajonin e Luhanskut që kontrollohet ende nga Ukraina. Luhansku, bashkë me Donjeckun fqinj, formojnë rajonin e Donbasit. Putin ka thënë se kontrollimi i rajonit të Donbasit është qëllimi kryesor i luftës së Rusisë. Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. /REL