MENU
klinika

Kritika ndaj Bordit të Transparencës së karburanteve

Si caktohen çmimet, a po ‘shpërfillet’ bursa?

03.06.2022 - 20:49

Prej 1 qershorit, në Shqipëri, nafta kushton 248 lekë për litër. Një ditë para këtij vendimi, më 31 maj, nafta bruto në bursë ishte 124 dollarë për fuçi, ndërsa më 1 qershor, shumë më mirë zbriti në 112 dollarë. Nuk dihet se cilës bursë i referohet Bordi i Transparencës kur shpall çmimet e tregtimit të karburantit në Shqipëri, por në radhët e politikës, akuzat për mungesë transparence kanë arritur deri në kërkesa për shkrirjen e këtij bordi që në përbërje ka edhe vetë kompanitë më të mëdha të karburantit.

“Nuk mund të ketë borde që kontrollojnë tregun për llogari të qeverisë, qytetarët paguajnë çmimin e këtyre organizmave korruptive qeveritare të ngritura me qëllimin e vetëm për të diktuar çmime stratosferike dhe vjedh sa më shumë qeveria me klientelën e vet. Kërkoj ndërprerje urgjente të veprimtarisë së tyre”, tha Berisha.

Mero Baze: Për lotët dhe turpin e Sali Berishës në ceremoninë e presidentit
Deputeti socialist Erion Braçe pyet nëse bordi i transparencës i referohet bursës apo bazohet tek rafineritë me rezerva naftë të kompanive, duke ngritur si shqetësim edhe abuzimet që bëjnë tregtarët e sektorit.

Këtyre kritikave Shoqata e Hidrokarbureve, i përgjigjet duke thënë se nafta është shtrenjtuar në të gjithë botën. Por për Braçen shoqata funksionon si kartel, madje thotë se është i pajustifikueshëm çmimi i bordit në raport me të dhënat e bursës përsa kohë ka edhe karburante të vogla që e shesin naftën më lirë se çmimi i caktuar prej tij.

Nga ana tjetër për opozitën caktimi i çmimeve nga bordi është thjesht ndarje pazaresh. Tabaku përsërit kërkesën e opozitës për të subvencionuar direkt qytetarët dhe për të ulur taksat, dhe jo të krijojë borde.

“Përpara me 10 mijë lekë e kaloje ditën. Sot në ditë i hedh 20 mijë lekë.

Çfarë shohim këtu, nuk besojmë që do të ketë transparencë. Në Kosovë është shumë më lirë”, thanë qytetarët.

Ndërkohë importet e karburantit si pasojë e çmimeve të larta në tregjet e huaja kanë rënë me 3%. Nga 175 mijë ton që u importuan vjet nga janari deri në prill, këtë vit janë importuar 170 mijë ton. Kjo rënie e importit, reflekton edhe reduktimin e konsumit për shkak të çmimit të lartë që duhet të paguajnë qytetarët për të blerë, naftë, benzinë apo gaz.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN