MENU
klinika

Sa tragjike!

Vajza italiane që kaloi 45 vjet në kampet e Shqipërisë…

21.06.2022 - 13:17

        Paraditen e 3 marsit 2001, në aeroportin e Rinasit, nga një avion i Kompanisë së Aviacionit Civil “Alitalia”, zbriste një arkivol i bukur me një kryq sipër. Në të prehej trupi pajetë i një zonje që, në tetëdhjete e tetë vitet, e kishte kaluar jetën në dy brigjet e Adriatikut. Ky ishte fluturimi i fundit, ishte si një urë e padukshme që lidhte dy brigjet. Në Rinas e prisnin familjarët e bashkëshortit, bijtë, nuset, nipat, miqtë, etj., që do t’a shoqëronin në rrugën piktoreske te Krujës, në banesën e fundit, në varrezat e qytetit të të parëve të burrit të saj, Dr. Asllan Merlikës.

Kjo zonjë ishte Giovannina Çezari, në Shqipëri e njohur me emrin Xhana Merlika. Kishte lindur më 19 prill të të largëtit vitit 1913, në Bolonjën e lashtë e me tradita kulturore. Kishte lindur në një familje të mesme dhe me shumë fëmijë, një nga ato familje që përbëjnë shumicën e heshtur të një shoqërie e njëkohësisht shtyllën kurrizore të një kombi. Babai i saj, Frederiku, kishte një restorant, në të cilin mblidheshin studentët shqiptarë të universitetit më të vjetër të Italisë. Ndërmjet tyre ishte dhe një djalë nga Kruja, Asllan Merlika, që studionte mjekësi. Ndërmjet vajzës së re, që shkonte në restorant për të ndihmuar prindërit, dhe djaloshit student, lindi një dashuri e pastër dhe e fuqishme, që mbeti e tillë gjatë një jete plot peripeci.

Dashuria nuk u pengua nga prindërit e Xhanës e po ashtu dhe nga vëllai i madh i Asllanit, Mustafai, që ishte për të si baba e si nënë. Asllani ishte rritur e shkolluar nën kujdesin e Mustafait dhe ky ishte përpjekur që, megjithëse i larguar që në moshë të njomë, ai të ruante dashurinë për vendin e vet, e dijet e profesionin t’i vinte në shërbim të tij. Kështu pra, mjeku i sapo laureuar në Bolonja, do të kthehej në Shqipëri e do të fillonte punën në profesionin e tij në Peqin. Ndërkaq dashuria do të kurorëzohej me martesën e bolonjezia zeshkane dhe e bukur, do të pranonte të jetonte në një vend që nuk e njihte e që, i siguronte shumë më pak komoditete sesa vendi i saj, por me entuziazmin e dashurisë, që kompensonte gjithçka.

Ajo mbeti gjithmonë pranë bashkëshortit, djaloshit të ëndrrave të saj, në ditë të mira e të këqija. I’u bë krah atij në vite të gjata pune e privacionesh, duke përgjumur në dhimbje e në lot mallin për prindërit, vëllezërit e motrat që një regjim, sa mizor aq dhe imoral, i’a ndalonte t’i shihte. Në vite të gjata terrori, kur njerëzit e bashkëshortit lëngonin në burgjet e Burrelit apo Gjirokastrës, në kampin e shfarosjes së Tepelenës apo të internimit të Lushnjes, do të dëshmonte guxim, kurajo, zemërbardhësi e forcë karakteri, duke ju ardhur në ndihmë kunetërve e nipave nëpër burgje e, duke u bërë strehë e ngrohtë për fëmijët e tyre të mbetur jetimë me prindër gjallë. Bujaria e saj proverbiale, që mbështetej fuqimisht dhe në ndihmat e pakursyera të familjes së saj nga Italia, është e njohur jo vetëm në ambientet familjare por, edhe në ato shoqërore të Korçës, ku Dr. Merlika kaloi pjesën më të madhe të jetës.

Bujaria dhe forca e karakterit do të dilnin në pah dhe në çastet e vështirësive të mëdha familjare, siç ishin sëmundja e të shoqit dhe vitet e internimit. Kur doktori nuk ishte më në punë, kur tromboza cerebrale dhe mosha e kishin kthyer në një person të “pavlefshëm” më për regjimin, sëpata e diktaturës së Shtetit komunist, nuk do të nguronte të godiste qoftë edhe para meritave të pamohueshme të një mjeku të talentuar e të ndërgjegjshëm, në jetëshkrimin e të cilit shënoheshin mijra jetë fëmijësh të shpëtuara nga thonjtë e vdekjes. Kështu, natën e tridhjetë tetorit 1975, familja e doktorit do të provonte në kurrizin e saj mizorinë e vendimeve të pafundme të “zotërinjve” të Komisionit të Internim-Dëbimeve.

Në lartësitë e Gorës, në fshatin Senisht, do të kalonin pesë vitet më të vështira të jetës së Xhanës. Me durim e stoicizëm i përballoi ajo ato vite të ashpra, të ashpra si natyra e Senishtit malor. Nga Bolonja e qytetëruar, në një fshat të humbur të Gorës, kjo ishte parabola e pazakontë e jetës së saj. Duhej forcë, qëndrueshmëri, karakter për t’i bërë ballë një kataklizme të tillë. Ku e gjente forcën kjo grua bolonjeze fisnike për të përballuar një situatë që do te ulte më gjunjë dhe burra të sprovuar në vështirësi? Kush do t’a ndihmonte në misionin e saj në qendrën e një familjeje, në të cilën ajo duhet të ishte faktor harmonie, si bashkëshorte e një njeriu të sëmurë, si nënë, si vjehërr e si gjyshe njëkohësisht? Besimi në Zotin, lutjet e saj të pafund Jezuit, Virgjëreshës e Shën Ndout, ato vlera që i ishin futur thellë në palcë që në fëmijërinë e saj, por që ishin asgjësuar e përdhosur nga një bandë kriminelësh, që fatkeqësisht i kishin marrë frymën Shqipërisë fisnike.

Por forca e saj buronte dhe nga dashuria, një dashuri me D të madhe, që nuk epet para asnjë vështirësie, që nuk njeh kushtëzime, interesa, llogari, dashuria për “Aslaninon” e saj të adhuruar. Dashuria ishte elementi kryesor përbërës i qenies së saj. Ajo shtrihej tek bijtë e familjet e tyre por dhe tek familjarët e tjerë të farefisit të burrit, tek miqtë, shokët, të afërmit tek gjithë rrethi shoqëror në të cilin jetonte e më gjerë tek vendi i adoptuar si Atdhe i dytë. Fati mizor deshi që, në ato pesë vite internimi pa asnjë motivacion, të ndahej nga objekti kryesor i dashurisë së saj.

Dëshpërimi e kushtet e jetesës rënduan sëmundjen e Asllanit të dashur, që ndërroi jetë më 15 dhjetor të 1978-ës. I lindur në një vend malor, në Krujën e lashtë, do të varrosej në një vend tjetër malor, në Senisht. Malet zakonisht janë varret e trimave dhe Asllan Merlika ishte një i tillë. Qe trim, jo se luftoi në llogore duke vrarë njerëz, por se përballoi një jetë të tërë në një regjim, që i ishte armiqësor, duke plotësuar me ndershmëri e shpirt vetëmohimi detyrat si mjek, si njeri, si prind, si mbështetje e pikë referimi për një fis të tërë të përndjekur e, të rënë në fatkeqësi. Ai ishte trim edhe sepse në krah kishte bashkëshorten besnike, Xhanën, që armën më të fuqishme të jetës së saj kishte dashurinë për njerëzit, respektin për brengat, fatkeqësitë e hallet e tyre. Dhjetori i 1978-ës i preu krahët Xhanës. Tani jeta e saj do të ishte kryesisht kthim mbrapa, zhytje në botën e kujtimeve, por pa lënë mbas dore rolin e saj si nënë e si gjyshe.

Kthehet në vendin e saj, në Bolonjë, mbas gati një gjysëm shekulli, më 20 shtator 1990, për të kaluar vitet e fundit të jetës. Në vend të prindërve do të gjente varret e në varre do të përcillte motra e vëllezër, për të mbetur ajo e fundmja e familjes, për të grumbulluar në zemrën e saj dhimbjet pafund. Por brenga e saj e madhe ishte atje, në atë varr të thjeshtë, në Krujën e largët, në të cilin prehej “Aslanino” i saj. Dëshira e saj ishte që aty të ishte dhe banesa e saj e fundit. Vendi i lindjes, i fëmijërisë e i rinisë së hershme kishte mbetur larg botës së saj të brendshme.

Ai vendi tjetër, për të cilin, në lulen e moshës, kishte vendosur të shkonte drejt së panjohurës, që i dha gëzimin e rritjes së fëmijëve e të bashkëjetesës me burrin e adhuruar, ai ishte bota e saj. Në atë botë dëshironte të kishte dhe ajo pjesën e saj, në atë banesë të fundit, të thjeshtë siç kishte qenë jeta e saj, për të qenë në amësim së bashku me të, me” Aslaninon” e saj. Fati desh që dhe ajo të mbyllte sytë në spitalin e një vendi të lartë, si vendi ku ndërroi jetë i shoqi, si Kruja ku prehen eshtrat e tij.

Ndoshta në dëshirën e saj për t’u prehur përgjithmonë në tokën shqiptare, në vendin që i shkaktoi kaq dhimbje e brenga së gjalli, veç dashurisë për burrin, lajtmotivi i jetës së saj, kishte dhe një tjetër të vërtetë. Njeriu mbetet i lidhur shpirtërisht me vendin në të cilin kalon pjesën më të madhe të jetës së tij edhe atëherë kur kjo jetë nuk ka qenë një fushë me lule edhe atëherë kur ajo ka qenë e ashpër, e errët, e dhimbshme. Dashje pa dashje njëjtësohet me të, sepse në të, së bashku me vuajtjet e mangësitë, ka njohur dhe ndonjë çast të shkurtër gëzimi, kënaqësie, e tërësia e tyre përbën atë që quhet jetë njerëzore. Kjo jetë nuk mund të shuhet nga kujtesa e as nuk mund të mbytet malli për të, mbasi mbetet një pjesë e vetes sonë.

Kështu Xhana, fisnikja e përtej detit, sot pushon në gjirin e tokës sonë shqiptare, të atij dheu që lindi dashurinë e saj, në vendin e saj birësor, në atë vend që e priti me zemër në dorë, kur ajo erdhi si nuse. Që nga dita e nusërisë kishte ruajtur një kujtim, një fustan të zi, për të cilin kujdesej si për sytë e ballit. Porosia e saj kishte qenë që ai fustan të ishte veshja e fundit me të cilën do të largohej nga kjo botë. Ai fustan do të mbulonte trupin e saj né dy ditët më të shënuara të jetës tokësore, si betimi i dashurisë e besnikërisë që përcolli gjithë kohën, si në baladat e lashta të tokës arbërore.

Sot, përsëri me zemër ne dorë e priti ai vend, për t’i dhënë bujarisht asaj, të veshur përsëri me fustanin nusëror, mirëseardhjen dhe lamtumirën me të gjithë nderimin e respektin, që meritonte shpirti i saj i bardhë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen