MENU
klinika

Spanja temperatura rekord, thahet lumi “Po” në Itali

Vala e të nxehtit godet Evropën: Ndalohen eventet në natyrë

17.06.2022 - 19:39

Eventet publike në natyrë janë ndaluar në një zonë të Francës, pasi një valë e të nxehtit që ka thyer rekorde ka përfshirë Evropën.

Koncertet dhe tubimet e mëdha publike janë anuluar në departamentin Gironde rreth Bordeaux.

Të enjten, disa pjesë të Francës arritën 40 gradë Celsius, me temperaturat që pritet të arrijnë kulmin të shtunën.

Shkencëtarët thonë se periudhat e nxehtësisë intensive po bëhen më të shpeshta dhe më të gjata si rezultat i ngrohjes globale.

Spanja, Italia dhe Britania e Madhe po përjetojnë gjithashtu temperatura të larta.

Në Gironde, zyrtarët thanë se ngjarjet publike, duke përfshirë disa nga festimet zyrtare të Rezistencës së 18 Qershorit, do të ndalohen nga e premtja në orën 14:00 “deri në fund të valës së të nxehtit”. Ndalohen gjithashtu ngjarjet në ambiente të mbyllura dhe në ambiente pa ajër të kondicionuar.

Festimet private, si dasmat, do të lejohen ende.

“Të gjithë tani përballen me një rrezik shëndetësor”, tha zyrtari lokal Fabienne Buccio për radion France Bleu.

Temperaturat kanë arritur në 44 gradë Celsius në Montpellier të Francës
Ministria e Brendshme franceze paralajmëroi njerëzit që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos ekspozohen ndaj të nxehtit.

Parashikuesi shtetëror Meteo France tha se ishte periudha më e hershme e nxehtë që ka goditur ndonjëherë vendin, e cila është shkaktuar nga një masë e ajrore e nxehtë e ardhur nga Afrika e Veriut.

Temperaturat mund të arrijnë në 39 gradë Celsius në Paris dhe thatësirat kanë rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve, thanë sinoptikanët.

“Unë jam 86 vjeç, kam lindur këtu, por mendoj se kjo është vala më e keqe e të nxehtit që kam parë ndonjëherë”, tha Jacqueline Bonnaud për agjencinë e lajmeve AFP në qytetin jugor të Toulouse.

Rritja e përdorimit të kondicionerëve dhe ventilatorëve po e detyron Francën të importojë energji elektrike nga vendet fqinje, tha operatori i rrjetit RTE.

Në Spanjë, e cila sapo ka përjetuar majin më të nxehtë që nga fillimi i shekullit, temperaturat parashikohen të arrijnë në 43 gradë Celsius këtë fundjavë, tha shërbimi i motit Aemet.


Zjarret në pyjet e Katalonjës
Ka pasur zjarre pyjore në Katalonjë, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe që mund të rritet në 20,000 hektarë përpara se të frenohet.

Niveli i ujit në lumin më të madh të Italisë është aq i ulët sa janë rishfaqur anijet e mbytura të kohës së luftës.

Shtrati i lumit PO në Itali
Në Britaninë e Madhe, temperaturat pritet të arrijnë në 33 gradë Celsius në Anglinë jugore, ndërsa një alarm i nivelit të tretë për të nxehtin shëndetësor është lëshuar për Londrën.

Vapa ekstreme nuk kufizohet vetëm në Evropë këtë javë.

Të mërkurën një e treta e të gjithë popullsisë së Shteteve të Bashkuara u këshilluan të qëndrojnë brenda për shkak të temperaturave rekord. Në Indi, Delhi ka regjistruar një temperaturë maksimale prej të paktën 42 gradë Celsius.

Ndryshimet klimatike po bëjnë që temperaturat globale të rriten. Gazrat serë, si dioksidi i karbonit, të lëshuara në atmosferën e Tokës në vëllime të mëdha, po bllokojnë nxehtësinë e diellit, duke bërë që planeti të ngrohet.

Kjo ka sjellë mot më ekstrem, duke përfshirë temperatura të larta rekord në të gjithë botën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN