MENU
klinika

Kryeministri ka përballë historinë

Veteranët e UÇK, protestë kundër Albin Kurtit: Kurrë nuk e deshi luftën

05.06.2022 - 21:08

Protestës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’i bashkohet edhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, njoftoi kryetari i këtij subjekti, Dardan Molliqaj.

Për protestën e OVL UÇK-së që do të mbahet të hënën rreth kundërshtimit e Projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë përfitimin në rritjen e pagës minimale ku lajmërohet se nuk janë parashikuar edhe kategoria e veteranëve të luftës, Molliqaj tha se “nesër do të jemi në shesh”.

“Nesër do të protestoj! Nesër do të protestoj. Bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi. Bashkë me ata që na e sollën lirinë e përpjekjen e të cilëve qeveria po e dënon. Bashkë me ata, të vetmit që shteti nuk i ndihmoi fare gjatë krizave t’kësaj kohe”, shkroi Dardan Molliqaj.
Molliqaj nuk i kufizoi as kritikat ndaj qeverisë së Kryeministrit, Albin Kurti, për të cilin tha se ky i fundit “nuk i do veteranët”.

“Dha para me miliona për biznese të mëdha, kurse veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshti luftën e tyre. Prandaj i sulmoi vazhdimisht. Ani pse vetë është veteran i rrejshëm”.

“Nesër do të jemi në shesh, bashkë me ata që jetën e tyre e lanë peng për lirinë tonë. Dhe do të jemi bashkë me ta, përherë. Sepse lufta e tyre është projekti i lirisë, i barazisë e i progresit”, përfundoi Kryetari i PSD-së.

Përveç PSD-së, protestës së OVL UÇK-së është lajmëruar se do t’i bashkohet edhe Lëvizja për Bashkim.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, në një konferencë për media lajmëroi për problemet e mëdha me të cilat përballen veteranët e luftës, përkatësisht rreth pensionit të veteranëve.

“Kemi probleme edhe në Zyrën e kategorive të dala nga lufta. Është e turpshme kur veterani vdes dhe bashkëshortja nuk mund ta gëzoj pensionin, ose është turp kur për disa probleme teknike veterani nuk mund ta marr pensionin”, ka thënë Klinaku.

“Ne do të protestojmë të hënën në orën 10:00 dhe do të fillojmë të grumbullohemi për ta kundërshtuar ndryshimin për ligjin që është duke e bërë Kuvendi i Kosovës. Ata po bëjnë lojëra me popullin. Ai ligj nuk është në fuqi dhe ai ligj do të hyj në fuqi kur të kryhet kategorizimi. Ligji që po thirren ata nuk është në fuqi. Kjo qeveri në vend që të rris pagën minimale për të gjitha shtresat, ata e bëjnë temë veteranin e luftës pikërisht për të mos ta bërë këtë gjë”, tha mes tjerash Faton Klinaku.