MENU
klinika

BE pritet të miratojë statusin e vendit kandidat për Ukrainën

“VOA”: Ja sa kohë mund të marrin negociatat e anëtarësimit

23.06.2022 - 17:46

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu besimin të enjten se udhëheqësit e BE-së do të votojnë në favor të dhënies së statusit të vendit kandidat Ukrainës. Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare që janë mbledhur në Bruksel pritet të vendosin edhe për Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ata do të diskutojnë gjithashtu për mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën, ndërsa Rusia po intensifikon bombardimet në rajonin Donbas.

Në prag të takimit të BE-së, presidenti i Ukrainës foli të mërkurën nëpërmjet lidhjes videofonike për një audiencë në Amsterdam, duke kërkuar që BE-ja të miratojë kërkesën e vendit të tij për anëtarësim.

“Jam i sigurtë se asnjë prej nesh, asnjë prej jush, nuk ka dyshim se Ukraina duhet të marrë një vendim pozitiv. E meritojmë. E meritojmë, jo vetëm për trimërinë tonë dhe për luftën tonë për liri”, tha Presidenti Zelenskyy.

Lufta vazhdon në rajonin lindor të Donbasit. Forcat ukrainase ende po rezistojnë në qytetin Sievierodonetsk. Ata kërkojnë më shumë ndihma nga Perëndimi, ndërsa përballen me forcat ruse më të shumta në numër dhe më të mirëpajisura.

Krerët e vendeve të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën. 27 udhëheqësit pritet të miratojnë statusin e vendit kandidat për Ukrainën, duke i dhënë asaj mundësinë për anëtarësimin e plotë në BE.

“Ukraina na përket neve; i përket familjes evropiane”, tha Kancelari gjerman Olaf Scholz.

Përfitimet për Ukrainën nga anëtarësimi në BE janë të qarta, thotë analistja Camino Mortera-Martinez.

“Është një treg i madh i përbashkët. Ka një sërë institucionesh dhe organizatash, që mund të ndihmojnë. Ka fonde që mund të merren. Për Ukrainën, mendoj se më e rëndësishmja është ta marrë këtë sinjal se tashmë i përkasin një grupi vendesh që janë të gatshëm t’i rezistojnë Rusisë”, thotë zonja Mortera-Martinez.

Përgjatë katër muajve të konfliktit, presidenti i Ukrainës u ka dhënë udhëheqësve evropianë mesazhin se ukrainasit e meritojnë anëtarësimin në BE, si shpërblim për mbrojtjen e Evropës nga agresioni rus. Por, anëtarësimi i plotë vazhdon të jetë ende larg.

“Mund të marrë 10 apo më shumë vite. Bëhet me kapituj për çdo etapë politikash të Komisionit (Evropian). Pra, duhet shumë negocim për të përmbyllur kapitujt, për të përfunduar negociatat. Kjo nënkupton shumë reforma për Ukrainën”, thotë zonja Mortera-Martinez.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Rusi mbështeti anëtarësimin e Ukrainës në BE.

“Mbështesim aspiratat e ukrainasve për t’u anëtarësuar (në BE), dhe është tragjike që është kërcënimi rus që po e shtyn Ukrainën më pranë perëndimit”, tha Ambasadori John S. Sullivan.

Ndërkohë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia do të intensifikojë sulmet në ditët në vazhdim, ndërsa vendi përpiqet të shkëpusë marrëdhëniet me lindjen dhe të krijojë një të ardhme evropiane./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i ish-Presidentit rus

“BE mund të shpërbëhet para pranimit të Kievit”

Austria “dush” të ftohtë vendeve të BE-së

“Nëse Ukraina, Shqipëria dhe Kosova hyjnë në BE ne duhet të dalim”

Analiza e DW pas samitit të BE-së në Bruksel

“Mungesa e një udhëheqjeje të vendosur e trimëron Putinin”