Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria arritën sot një marrëveshje për të zgjidhur ngërçin mes tyre, bazuar në një propozim të Francës. Marrëveshja i hap rrugën nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shkupit por dhe Tiranës.
Arritjen e marrëveshjes e bëri të ditur i pari presidenti francez Emmanuel Macron, i cili drejtoi këto 6 muaj presidencën e Bashkimit Europian dhe u angazhua personalisht për gjetjen e një zgjidhjeje edhe gjatë samitit të NATO-s në Madrid.
“Jam i bindur se kemi arritur një zgjidhje kompromisi” deklaroi presidenti Macron gjatë një konference shtypi në Madrid. Gjatë samitit të NATO-s, pati bisedime intensive për tejkalimin e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shkroi më pas në Twitter se mirëpriste “zgjidhjen franceze për një marrëveshje që do të shtronte rrugën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Zgjidhja u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura. Jemi më afër se kurrë. Tani është momenti të thuhet Po”, shkroi ai me një referencë të qartë ndaj Shkupit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një deklaratë të saj u shpreh se ka pranuar një propozim nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve të shprehura publikisht prej saj”, duke shtuar se “kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Nëse gjithshka përmbyllet në kohë, gjasat janë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të zhvillohen që javën e ardhshme./VOA