MENU
klinika

Si paraqitet situata

Zjarret në Sazani, ndërhyrje në terren vetëm me mjete rrethanore

07.06.2022 - 07:57

Flakët po përpijnë masive të tëra në ishullin e Sazanit, ndërsa prej tri ditësh, që kurse shpërthyen zjarret që dyshohet të jenë të qëllimshme, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ajri.

Beteja e zjarrfikësve me flakët vështirësohet edhe për shkak të shpërthimeve të herëpashershme të municioneve që kanë mbetur aty për shkak të stërvitjeve ushtarake.

NDËRHYRJA

Një sipërfaqe e madhe e ishullit të Sazanit është nën flakë prej ditësh, ndërsa zjarri shpërtheu në pjesën lindore, që është përballë qytetit të Vlorës. Në zonë ndodhen mbi 100 forca të Ushtrisë dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, në përpjekje për të lokalizuar flakët, ndërhyrje e cila është tejet e vështirë për shkak të terrenit të thyer në ishull, ndërsa atje nuk mund të shkojnë makineri zjarrfikëse. Qindra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe të tjera vazhdojnë të shkrumbohen, ndërsa temperaturat e larta kanë përfshirë vendin tonë këtë fillim qershori. Temperaturat e larta dhe bimësia e dendur e vështirësojnë më tej shuarjen e flakëve. Në terren ka shkuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, i shoqëruar nga ekspertë zjarresh, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kanë kryer një rikonicion nga ajri mbi ishullin e Sazanit, për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjeve të mëtejshme. “Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit janë shtuar trupat e ndërhyrjes nga toka, të cilët kanë krijuar breza të shpyllëzuara rreth vatrave të zjarrit”, thuhet në reagim.

FORCAT NË AKSION

Që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë, kryesisht të forcës detare dhe forcat e gatshme të forcës tokësore, së bashku me zjarrfikës të Vlorës, po punojnë për shuarjen e zjarrit të rënë në ishullin e Sazanit. Ndërkohë që flakët përhapen duke shkrumbuar bimësinë në zonë, forcat në terren shtohen. Mbrëmjen e shkuar, rreth 14 vatra zjarri janë neutralizuar. Ndërkohë, rreth 100 trupa të tjerë të Forcave të Armatosura po dërgohen në terren, ndërsa janë vënë në dispozicion edhe 3 anije të forcës detare. Trupat vazhdojnë operacionin e izolimit të plotë të flakëve, krijimin e brezit të shpyllëzimit me mjete shtesë nga Komanda Mbështetëse.

“Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë”, sqaroi Ministria e Mbrojtjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Jo çdo zjarr ka nevojë për helikopterë!"

Sazani në flakë/ Pse nuk po ndërhyhet nga ajri?