MENU
klinika

Flet kreu i Forcave të Armatosura të Britanisë

A është Putin i sëmurë rëndë?

17.07.2022 - 22:06

Nga Britania e Madhe janë hedhur poshtë spekulimet se presidenti rus Vladimir Putin vuan nga një sëmundje e rëndë ose mund të vritet.

Kreu i forcave të armatosura të Britanisë, Admirali Tony Radakin deklaroi se derisa Partia Konservatore zgjedh pasardhësin e kryeministrit Boris Johnson, lideri i ardhshëm i Britanisë duhet të jetë i vetëdijshëm se Rusia përbën “kërcënimin më të madh” për Mbretërinë e Bashkuar dhe se sfida e saj do të zgjasë për dekada.

“Unë mendoj se disa nga komentet se ai nuk është mirë ose se me siguri dikush do ta vrasë ose ta nxjerrë jashtë, mendoj se janë mendime të dëshirueshme”, tha shefi i shtabit të mbrojtjes për Putinin.

“Si profesionistë ushtarakë ne shohim një regjim relativisht të qëndrueshëm në Rusi. Presidenti Putin ka qenë në gjendje të shuajë çdo opozitë, ne shohim një hierarki që është investuar te presidenti Putin dhe askush në krye nuk ka motivimin për të sfiduar Presidentin Putin”, shtoi Radakin.

“Dhe kjo është e zymtë”.

Forcat tokësore të Rusisë mund të përbëjnë më pak kërcënim tani, pasi pësuan pengesa në luftën në Ukrainë, tha shefi ushtarak.

Pushtimi ka vrarë ose plagosur 50,000 ushtarë rusë dhe ka shkatërruar rreth 1,700 tanke ruse, si dhe rreth 4,000 automjete të blinduara luftarake, vlerësoi ai.