Thuhet se poetët u përngjajnë profetëve. Ata parathonë fatet e njerëzve. Njëjtë “paralajmëroi” edhe Ali Podrimja në vargje, ëndrrat e popullit të vet, por dhe… fundin e jetës së tij fizike.
Tik-taku i shpirtit të poetit, ndali pikërisht në një prej takimeve poetike të kryeqendrës kulturore evropiane, Francës. Ndërsa trupi iu gjet në pyll mu pranë një lumi… Gjithë jetën kishe shkruar për Lumin dhe kurrë, nuk guxoi ta pranojë vdekjen e birit të dashur, sepse e ndjente frymëmarrjen e tij, e shihte Lumin gjithkund: “vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj vogëlush/ varrëmihësit le ta qesin emrin/ ose bardhësia le të më mbulojë edhe mua/ të tërin (poezia “Fletë e bardhë”, shkruar në Ulpianë, në tetor të vitit 1982).
Poeti u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij, të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të, prej 18 korrikut. Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve, ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.
Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe nga kritika, është vlerësuar si përfaqësuesi më tipik i poezisë bashkohore shqipe dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
U lind dhe u rrit në Gjakovë. Studioi gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Prishtinës. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. I përfshirë në këtë përditshmëri ai ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një…
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik “Hija e tokës”, që Podrimja e shkroi më 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”. Më pas, vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum, lumi”, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkohore kosovare.
Në vitet ’80 e ’90, ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë, si: “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj., deri te dy librat në prozë: “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999).
Podrimja është poeti që çliroi poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, me vargun e lirë, metaforën apo ironinë, duke arritur të shprehë zona më të errëta të natyrës së njeriut. Këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë ato të një brezi dhe të një kohe pa të cilat, nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me një individualitet të formuar, krejt origjinal.
SHQIPTARËT
Zoti nuk ua kishte falur as bar
vetëm gjarpërinj
e gurë
Por ata kishin diçka
që kurrë s’mund ua zbuloi i madhi
Jetonin gjatë
Dhe kur vdisnin
vdisnin
duke kënduar oi oi oi
Te koka
ua binte
nga një rrap i çare në dysh
Së gjalli, poeti është nderuar me titujt më të lartë letrarë, ku vlen të përmendim shpërblimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau” (Shtutgart), në Gjermani, në vitin 1998. Më tej, në vitin 2005 u vlerësua me çmimin ndërkombëtar të poezisë “Liburna”, ndërsa në 2006-ën, Podrimja renditet mes 400 poetëve më të mirë të Evropës – poezitë e tij publikohen në revistën ndërkombëtare italiane “Poesia”, me poetët e shekullit XX.
Poeti dhe akademiku Ali Podrimja, la një krijimtari origjinale dhe të pasur. Poeti jetoi vrullshëm dhe e la këtë botë befas, duke e parathënë fatin e tij.