MENU
klinika

Intervista e ish-zv. ministrit të Financave

“Amnistia fiskale, produkt i aleancës me biznesin kriminal”

20.07.2022 - 13:29

Ish-zëvendësministri i Financave në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike, Florion Mima, është kundër draftit për amnistinë fiskale e penale e hedhur për konsultim publik së fundmi nga qeveria.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, duke analizuar kohën në të cilën vjen ky propozim Mima shprehet se amnistia nuk do të jap rezultate në ekonominë e vendit, por ajo do t’i vijë në ndihmë atyre që kryejnë aktivitet kriminal. Në vijim të intervistës, Mima shpjegon se amnistitë fiskale e penale edhe në vendet me një drejtësi më të konsoliduar bëhen shumë rrallë.

“Bota e civilizuar ndjek me fanatizëm dy parime kur aplikon një amnisti fiskale: Së pari, parimin kohor, çka nënkupton që amnistitë janë jashtëzakonisht të rralla, mundet një ose dy në një shekull dhe kjo shkurajon sjelljet pritëse që nxisin uljen e përmbushjes vullnetare me shpresën se së shpejti do të ketë një amnisti të re, dhe, së dyti, parimin e drejtësisë morale, pra të mos penalizohen ata qe zbatuan ligjin”, shprehet ish-zëvendësministri i Financave, ndërsa thekson se amnistia e fundit në Shqipëri përfundoi në vitin 2017.

Një amnisti tjetër sipas tij do të demotivonte biznesin e ndershëm që deklaron dhe paguan rregullisht detyrimet në shtet. Po ashtu, Minma shprehet se argumenti që përdori Kryeministri Rama se amnistia do u shërbejë emigrantëve është demagogji për t’i hedhur sipas tij hi syve ndërkombëtarëve.

Z. Mima, qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin e amnistisë fiskale e penale. Besoj me detajet e saj jeni njohur. Çfarë efektesh do te ketë ne ekonominë shqiptare një hap i tille?

Përgjithësisht amnistitë, edhe në vende të zhvilluara, me sisteme juridike e administrim fiskal të konsoliduar, pothuaj kurrë, nuk japin rezultate spektakolare në të hyrat publike apo ndonjë ndikim të përfillshëm në ekonomi. Madje, po të analizohen me kujdes, efektet që amnistitë kanë në sjelljen e operatorëve ekonomikë, jo vetëm që ato nuk ndikojnë në përmirësimin e sjelljes së operatorëve evazorë e shmangës, por përkundrazi, ato kanë efekt edhe në uljen e nivelit të përmbushjes vullnetare nga tatimpaguesit e rregullt në periudhat e ardhshme. Prandaj bota e civilizuar ndjek me fanatizëm dy parime kur aplikon një amnisti fiskale:

Së pari, parimin kohor, çka nënkupton që amnistitë janë jashtëzakonisht të rralla, mundet një ose dy në një shekull dhe kjo shkurajon sjelljet pritëse që nxisin uljen e përmbushjes vullnetare me shpresën se së shpejti do të ketë një amnisti të re, dhe së dyti, parimin e drejtësisë morale, pra të mos penalizohen ata qe zbatuan ligjin, në të kundërt, ata qe shkelën ligjit dhe zgjodhën të mos kontribuojnë në arkën e përbashkët, për të hyrë në sistem do të duhet të paguajnë ekzaktësisht aq sa kanë paguar tatimpaguesit e ndershëm. Në rastin tonë asnjë nga këto parime nuk ndiqet, nuk respektohet, madje injorohen, duke dhënë mesazhin e keq se këtu, edhe me ligj, favorizohen shkelësit dhe evazorët.

Unë besoj fort se shumica e bizneseve në Shqipëri jo vetëm janë ne përputhje me ligjet e vendit, dhe, si të tillë nuk kanë nevojë për demagogji fiskale, por ato janë edhe shumë përpara qeverisë në kuptimin, njohjen dhe zbatimin e të gjitha kërkesave ligjore. Në fakt, këtu është qeveria që shkel më së shumti ligjet, si e tillë, ajo nuk ka moral “të falë”, “të amnistoje” biznesin e ndershëm. Sa i takon biznesit kriminal, ka një aleancë të çimentuar me qeverinë dhe produkt i këtij bashkëpunimi është edhe kjo, e ashtuquajtura amnisti fiskale. Pjesa e amnistimit penal është një tjetër hile e Ramës për të bërë diversion mbi opozitën me gjoja pasjen e votave të duhura për ta kaluar atë. Unë besoj që ky projekt nuk do te arrijë të shkojë për votim, por edhe nëse Rama kërkon të na bindë se është kampion i kokëfortësisë, përsëri një numër i madh i deputeteve të mazhorancës do dinë të vënë Atdheun mbi përfitimet kriminale të patronazhistëve të rilindjes

Ekspertët ndahen në dy grupe, disa që mendojnë se vendi s’ka pasur amnisti fiskale prej shumë vitesh dhe që thonë se duhet të ketë një të tillë, dhe një grup tjetër që thotë se nuk duhet. Çfarë kushtesh do ta bënin më të favorshme një amnisti fiskale?

Amnistia e fundit është diku nga viti 2011, me mendime në 2014 dhe 2017. Pra vetëm 5 vite më parë kanë pushuar së ekzistuari tagrat amnistues. Sipas kriterit kohor ky draft ngel në klasë. Po ashtu edhe sipas parimit të drejtësisë morale, gjithashtu është ngelës. Kushtet që do ta bënin më të lehtë, më të zbatueshme dhe më produktive një amnisti janë disa: se pari, kujdesi për t’iu përmbajtur parimit kohor dhe atij te drejtësisë morale.

Së dyti, ngritja e konsensusit me opozitën. Së treti, pasja e faktorit ndërkombëtar, si politik ashtu edhe të ekspertizës financiare-ekonomike. Se katërti, dizenjimi me kujdes të shtuar i një projekti që mbyll çdo shteg për keqpërdorim nga grupet kriminale dhe politikanë të korruptuar. Së pesti, bërja të qartë administratës tatimore se kjo amnisti nuk është qyrk për të mbuluar paaftësinë dhe korrupsionin e saj, dhe se rruga e vetme për të reformuar këtë trupë administrative, është përvoja më e mirë botërore dhe jo vënia e administratës nën thundrën e patronazhistëve.

Kryeministri ka deklaruar se një nga arsyet është që të legalizohen paratë e emigrantëve shqiptar. Qëndron sipas jush ky argument, pasi shqiptaret kanë tani thuajse 30 vite në emigrim dhe mendoni se mund të kenë para të pajustifikuara?

Emigrantët ishin maska që përdori Kryeministri për t’u hedhur hi syve opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtarëve. Dhe nuk ishte e pagjetur, krijonte idenë e dhembshurisë dhe të merakut të shtetit amë, për t’ua lehtësuar shtetasve shqiptarë dhe jo vetëm, transferimin e kursimeve të tyre ndër vite drejt Shqipërisë. Por, ndërsa ne jemi të ndarë në opinionet tona, ndërkombëtarët, pothuaj në një zë janë shprehur rreptësisht kundër. Pse?

Sepse ato nuk mund të certifikojnë një skemë hilacake, të pandershme e ndoshta edhe kriminale, qe u thotë rezidentëve shqiptarë në këto shtete “punë e madhe që nuk keni paguar taksa ne shtetet ku keni fituar te ardhurat, hajdeni tek unë, paguani gjysmën e taksave që kanë paguar të tjerët dhe jeni të larë”. Ndërkombëtarët kanë tjetër kulturë politike e ligjore, ata nuk mund te mbyllin dot sytë përpara këtij sulmi që vjen nga kryeministri i një vendi i cili po troket prej 10 vitesh në portën e tyre për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të përbashkët. Unë besoj fort se pavarësisht se ky joni sillet si gangster me shqiptaret, shpejt do t’i duhet, për shkak të kushtëzimeve të reja që mund të vendosin të zotët e shtëpisë, të tërhiqet nga ky projekt kriminal i shpëlarjes masive të parave të pista.

Në draft përjashtohen nga përfitimi i ligjit të gjithë ata që kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesit, ka hapësirë sipas jush që të legalizohen paratë e korrupsionit të pushtetarëve?

Dispozitat për përjashtimin e kategorive te mësipërme, gjykoj që janë pjesë e demagogjisë për ta bërë projektin të duket më i besueshëm. Por, ç’vlerë ka që ti citon një kategori si të përjashtuar kur personat e lidhur (lidhje gjaku, krushqie, miqësie dhe lidhje interesash financiare e ekonomike) janë të lirë te veprojnë? Ç’kuptim ka që politikani përjashtohet por biznesi ku familjari i tij ka interesa, mund të përfitojë?

Paralelisht po diskutohet edhe legalizimi për kanabisin mjekësor, a e damkosin këto dy nisma Shqipërinë dhe ekonominë tonë?

Edhe për këtë projekt, BE-ja është shprehur rreptësisht kundër. Kryeministri, qartazi, po vendos patronazhistët mbi interesat e vendit. Besoj se do të ketë zhvillime dhe se Evropa, pavarësisht divergjencave, interesave të shteteve të veçanta, rrezikut rus që po troket ne Ballkan, krizës energjetike etj., do të dijë të mbrojë vlerat e veta dhe të mos pranojë të tërhiqet prej hundesh prej atij që po troket në derë për t’u bërë pjesë e familjes, por që nuk pranon të zbatojë rregullat e përbashkëta, por vijnë me rregullat e patronazhistëve të partisë së tij në sqetull.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN