MENU
klinika

Vrasjet e bujshme

Arrestimi i ekzekutorit të Saimir Jakut/ Saga e hakmarrjes me 5 të vrarë, konfliktet mes dy fiseve në Rrëshen

26.07.2022 - 12:17

Arrestimi i vrasësit të Saimir Jakut, 40-vjeçarit Dorian Keqi nga Kruja, sjell në vëmendje sagën e hakmarrjes me vrasje dhe plagosje mes dy fiseve në Rrëshen. Hasmëria mes fiseve Gjini dhe Reçi ka shkaktuar disa viktima, ku rasti më i fundit ishte vrasja e Kastriot Reçit më 7 janar të 2020-ës.

Në 5 vitet e fundit nga përplasja mes dy fiseve janë ekzekutuar Saimir Jaku, Gasper Reçi, Kreshnik Gjini, Tonin Gjini dhe Kastriot Reçi.

BalkanWeb sjell si më poshtë historitë e ekzekutimeve dhe plagosjet që kanë tronditur vendin, ndërkohë që disa prej tyre kanë ndodhur dhe jashtë territorit, në Romë dhe Belgjikë.

Më poshtë, historia e pesë vrasjeve që tronditën Rrëshenin dhe mbarë vendin:

 

 

 7 janar 2020 (Kastriot Reçi)
47-vjeçari u ekzekutua pranë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa ishte duke ecur me këmbë. Sipas dëshmitarëve në drejtim të Reçit është qëlluar me snajper, duke e bërë atë viktimën e dytë brenda familjes. Reçi ishte pronar i një televizioni lokal në Mirditë, si dhe dyshohet se ka pasur influencë mbi disa biznese të tjera në zonë.

15 shtator 2020 (Plagosja e Preng Gjinit)

Në shtator 2020 i bëhet atentat Preng Gjinit, i cili tronditi Tiranën, pasi u krye në një zonë mjaft të populluar, ndërsa ishte vijim i kalvarit të hakmarrjes së nisur disa vite më parë për prishje të pazareve të drogës.

Rrëshen – 9 shtator 2016 (Saimir Jaku)
Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, Saimir Jakun, ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij.

Itali- 28 Prill 2017 (Gasper Reçi)
Një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Gasper Reci, 43 vjeç, nga Rrësheni është ekzekutuar në 2017-tën banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje. Në momentin që është qëlluar, në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Belgjikë- 6 Shtator 2017 ( Kreshnik Gjini)
Kreshnik Gjini, 31 vjeç, u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane. Kreshnik Gjini punonte kamerier në një lokal në Saint-Denis. Pasi mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës.

Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ndërsa vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit.

Vrasja e Armando Gjinit, gusht 2019
Armando Gjini, i cili u ekzekutua në Gusht të 2019-ës, me armë zjarri në qendër të Rrëshenit, njihej si pjesë e bandës së Met Kananit, i njohur nga mediat turke si “Eskobari shqiptar”, për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike. Pikërisht pas vrasjes së tij dyshohet të ketë qenë Kastriot Reçi, i cili u ekzekutua gjatë ditës në muajin Gusht.