Iu gjetën 15 pako kanabis në formë çokollatë, arrestohet drejtuesi i autobusit, Alban Ismalaj.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Drogë e përpunuar si çokollatë, nga Tirana në drejtim të Tropojës, me autobus, Seksioni i Antidrogës në DVP Lezhë bllokon autobusin, sekuestron 15 pako me kanabis në formë çokollate dhe vë në pranga drejtuesin e autobusit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se në pjesën e bagazheve, në autobusin e linjës “Tiranë – Tropojë”, kishte lëndë narkotike të përpunuar si çokollatë, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Linja”.
Gjatë këtij operacioni, në Kurbin, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin, ku dyshohej se ishte lënda narkotike dhe pas kontrollit në pjesën e bagazheve, në këtë autobus, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 3.1 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi A. I. 43 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.