MENU
klinika

Intervista e Armand Dukës

“Asllani si Modric, synimet që kemi me Kombëtaren”

14.07.2022 - 11:31

Transferimi i Kristjan Asllanit tek Interi i ka bërë krenarë shqiptarët, tifozë me skuadrat kryesore italiane. Vetëm 20 vjeç, por talenti i kombëtares sonë kuqezi ka tashmë shansin e madh të karrierës të bëjë emër.

Këshillat i vijnë nga të gjitha anët, edhe nga kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka. Kreu i FSHF-së i kërkon Asllanit të qëndrojë me këmbët në tokë, duke bërë një parashikim të guximshëm për të. Në një intervistë ekskluzive për “L’Interista”, Duka do të ndalej edhe te Kumbulla, situata e tij te Roma dhe çfarë duhet të bëjë për të luajtur më shumë.

President, si e shihni Asllanin tek Inter në rolin e zëvendësit të Brozovic?

E filloj duke thënë se Brozovic është një lojtar i rëndësishëm në skenën botërore. Të gjithë e dinë vlerën e tij, ai luajti edhe një finale të Kupës së Botës. Është i sprovuar ndërkombëtarisht. Me pak fjalë, ai është një nga mesfushorët më të mirë përreth. Megjithatë…

Megjithatë?

Kristjan është një lojtar i ri me perspektivë. Shpresoj shumë dhe jam i bindur se ai do të konkurrojë me Brozovic për një vend titullari. Kur në të ardhmen, shumë shpejt, të fitojë rregullisht vendin e tij në 11-shen e Interit, do të jetë gjithashtu një lojtar i rëndësishëm në nivel botëror. Gjatë sezonit do të ketë shanset e tij. Duke punuar shumë do të jetë në gjendje të fitojë vendin e tij”.

Pra, a jeni dakord me shumë shokë skuadre dhe opinionistë që e shohin atë një lojtar të mirë për të ardhmen?

Ai është ende shumë i ri, por ka potencial të jashtëzakonshëm dhe këtë e ka treguar tashmë me Empolin. Siç e thashë edhe më parë, besoj dhe jam i bindur se me cilësitë që ka mund të bëhet një lojtar i rëndësishëm në botë. Po e vlerësoni shumë… Ashtu siç e shoh unë, mund të jetë Luka Modric i ardhshëm. I ka të gjitha cilësitë për të arritur majat, është i ri, ka aftësi të larta teknike, vendosmërinë e duhur dhe karakter të fortë. Falë këtij karakteri ai mund të arrijë shumë lart dhe të bëjë gjëra të mëdha.

A keni ndonjë këshillë për të?

Do të jetë shumë e rëndësishme për të që të qëndrojë me këmbët në tokë, të punojë shumë dhe me përulësi. Objektivi i tij i parë, natyrisht, është të fitojë pozicionin titullar në skuadrën zikaltër dhe jo vetëm të jetë zëvendës i Brozovic.

Cilat janë pritshmëritë e tij në Shqipëri?

Tifozët shqiptarë tashmë i njohin cilësitë e Asllanit, e kanë ndjekur prej kohësh dhe e pëlqejnë shumë. Që kur dolën lajmet e para për kalimin e Asllanit tek Interi, të gjithë e prisnin transferimin me ankth.

Nga ana tjetër, jo shumë lojtarë shqiptarë e kanë veshur këtë fanellë…

Pikërisht, shumë pak shqiptarë kanë luajtur për Interin. I fundit që luajti me ekipin e parë ishte Rey Manaj. Tani po presim Asllanin, ka shumë emocione.

Në Shqipëri besoj se edhe tifozët e Milanit, tani do të bëjnë tifo për Interin për shkak të tij (qesh). Mendoj se nuk ka arsye më të madhe për krenari për ne sesa të shohim një shqiptar duke luajtur në radhët e një klubi të madh dhe historik si Interi.

Asllani është produkti më i fundit i futbollit shqiptar. A mund të na tregoni për punën që ka bërë Shqipëria me Edy Reja dhe stafin e saj për t’u rritur ndër vite?

Sigurisht, me Edoardo Reja në krye si trajner jemi rritur, jemi fokusuar fort tek të rinjtë që punojnë shumë, kemi ndërtuar një projekt të madh për rritjen e futbollit shqiptar. Pastaj ka aspekte të tjera që ndikojnë.

Cilat?

Përgatitja fizike shumë e saktë e lojtarëve, aspekti mjekësor, analizat e videove. Së bashku me stafin e trajnerit Reja, i cili vepron si mbikëqyrës, kemi krijuar departamente në Federatën Shqiptare të Futbollit për të zhvilluar këto projekte dhe për të patur një rritje të qëndrueshme të futbollit shqiptar.

Cilat janë qëllimet tuaja të ardhshme?

Të arrijmë në krye të grupit tonë në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe të kualifikohemi në fazat finale të “Euro 2024”. Të gjithë së bashku besojmë fuqishëm se mund t’i arrijmë këto.

Ka gjithmonë shumë futbollistë shqiptarë në Serie A. A mendoni se numri do të rritet edhe më shumë në vitet në vijim?

Aktualisht kemi mbi 10 mijë futbollistë shqiptarë që luajnë në të gjitha nivelet e futbollit italian nga U-7 deri në U-19. Janë me qindra të rinj shqiptarë që i kemi monitoruar dhe përzgjedhur përmes skautëve tanë dhe strukturave tona në Itali.

Ne kemi arritur t’i identifikojnë dhe t’i fusin në listat e kombëtareve shqiptare U-15, U-17 dhe U-19. Nisur nga kjo situatë, në vitet e ardhshme do të ketë qindra prej tyre që do të mund të luajnë në Serie A.

Kumbulla është në qendër të thashethemeve të ndryshme të merkatos. A i rekomandoni që të qëndrojë me Romën?

Për Kumbulën tani është shumë e rëndësishme të luajë me klubin e tij. Zgjedhja i takon lojtarit, por nëse do të më duhej të jepja një mendim, do ta këshilloja që të qëndronte me Romën, sepse mendoj se i ka të gjitha cilësitë e duhura për të luajtur si titullar dhe për të bindur Mourinhon për vlerën e tij.

Nëse do t’i duhej të zgjidhte një klub tjetër në Itali, ku do të kishte më shumë hapësira?

Do të ishte ende një zgjedhje e respektueshme. E rëndësishme është që ai ka minuta në dispozicion. Kumbulla i ka cilësitë për të luajtur me Romën, por edhe në çdo klub tjetër të madh. Ai tashmë i ka treguar vlerat në futbollin ndërkombëtar.

Mjafton të kujtojmë ndeshjen Shqipëri-Poloni vitin e kaluar: mori shumë vlerësime nga ekspertët e futbollit dhe UEFA për paraqitjen e tij. Kumbulla u zgjodh si një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes, duke neutralizuar Lewandowski.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ç'po ndodh me sulmuesin kuqezi

Armando Broja niset drejt Amerikës

Sulmuesi kuqezi kaloi sot në Angli

Klauzola e Manajt që mund ta rikthejë te Barça