MENU
klinika

Vjen refuzimi i radhës

Asnjë ekip prestigjoz nuk e do Cristiano Ronaldon

16.07.2022 - 14:48

Pas PSG-së, që nuk e do në skuadër, sqarohet edhe pozicioni i Bayern Munich lidhur me Cristiano Ronaldon. Drejtori sportiv i klubit gjerman, Hasan Salihamidzic, ka përsëritur qëndrimin se sulmuesi portugez nuk është në planet e tyre.

“Kam shumë respekt për Cristiano Ronaldon, sukseset dhe karrierën e tij. Por edhe një herë: kjo nuk ishte dhe nuk është një temë për ne”, – ka deklaruar ai për “Sport1”.

Kjo përgjigje nga Salihamidzic vjen pas raportimeve të fundit se 37-vjeçari do të transferohet në “Allianz Arena”. Spekulimet mbi këtë u shtuan edhe më shumë sot, pasi Robert Lewandowski u largua nga “bavarezët”.

Por, sipas “Sport1”, largimi i sulmuesit polak nuk ka ndryshuar pozicionin e Bayern lidhur me ish-sulmuesin e Real Madrid dhe Juventus. Mediumi gjerman kishte raportuar javë më parë se portugezi i ishte ofruar Bayern-it, por që ishte refuzuar nga shefi ekzekutiv, Oliver Kahn, dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamdzic.

Ronaldo ka kontratë të vlefshme me Manchester United për së paku edhe një sezon, por ai besohet se e ka kërkuar largimin nga “Old Trafford”. Për pesë herë fituesin e “Topit të Artë” interesim ka shprehur edhe Chelsea, por duket se as Tuchel nuk e do.