MENU
klinika

Kërkoi bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet

Beogradi distancohet nga deklarata e ministrit Vulin

12.07.2022 - 17:42

Ministrja e Energjisë së Serbisë, Zorana Mihajloviç, është shprehur sot se deklarata e ministrit Aleksandar Vulin për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë.

“Ajo deklaratë nuk është politikë zyrtare e Qeverisë së Serbisë, pavarësisht se Qeveria është në mandat teknik. Si qytetar, ai ka të drejtë të shprehë të gjitha dëshirat, aspiratat dhe ëndrrat e tij, por ky nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë”, u tha Mihajloviç gazetarëve.

Zorana Mihajloviç theksoi se është koha që politikanët në rajon të kuptojnë se është e nevojshme të mos merren me të kaluarën, por të punojnë në projekte të përbashkëta që do të përmirësojnë ekonominë dhe do t’u sjellin qytetarëve një standard më të mirë të jetesës.

“Mesazhi për të gjithë ne në politikë është të lëmë gjithçka në të kaluarën, nuk mund të shpëtojmë prej saj, por është koha për të gjetur mënyra të përbashkëta për të bashkëpunuar dhe për t’u angazhuar për atë që do të sigurojë kushte më të mira për jetën e qytetarëve tanë”, tha Mihajloviç.