Në prill ish-kampioni i tenisit Boris Becker u dënua me dy vite e gjysmë burg për akuzat e mashtrimit dhe të falimentimit. Një dënim që tenisti gjerman po e shlyen në burgun Wandsworth (Angli). Megjithatë, kjo jetë në burg nuk është kaq e keqe dhe e vështirë sa mund ta imagjinonin disa.
Disa të burgosur dhe familjarë të tyre raportojnë se Boris Becker ka një trajtim special. Ata ankohen për faktin se Boris Becker mori pothuajse menjëherë detyrën e mësuesit të anglishtes dhe sportit, diçka që një i burgosur mund ta fitojë si “çmim” por vetëm pas njëfarë kohe:
“Zakonisht duhet të kryesh vite shërbim para se të punësohesh si asistent mësues, sepse shihet si privilegj në burg”, – tha burimi anonim për “The Sun”. Nga ana tjetër gjermani e mori këtë punë disa javë pas hyrjes në burg, gjë që e kanë zili edhe të burgosurit e tjerë.
“Boris Becker nuk e ka jetën luksoze që është mësuar, por ai po ia del më mirë se shumica e të burgosurve”, – vazhdoi burimi. Becker do të kryejë gjysmën e dënimit në burg dhe periudhën e mbetur të paraburgimit në një regjim gjysmë-lirimi.