Armando Broja ndodhet në një pikë shumë delikate në karrierën e tij. “Bomberi” kuqezi u rikthye në shtëpi, te Chelsea, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, por më sa duket blutë nuk janë shumë të bindur se çfarë do të bëjnë me sulmuesin kuqezi.
As Broja nuk duket shumë komod nga kjo situatë pasi me të drejtë kërkon qartësi, fundja ofertat që vijnë për të janë të shumta. Broja e ka bërë që të qartë se dëshira e tij është të provojë shanset te Chelsea, por nuk mund të presë pafund se çfarë do të vendosë trajneri Tuchel.
Në të njëjtën kohë, së fundmi në listën e gjatë të klubeve të interesuar për Brojën është futur sërish edhe Southampton. “Shenjtorët” janë të bindur se, nëse Chelsea vendos të shesë, ata do të kenë prioritet, pasi Broja shpërtheu pikërisht me ta në sezonin e fundit. Fuqishëm për sulmuesin kuqezi po interesohen edhe dy klube të tjera West Hem dhe Newcastle.