MENU
klinika

Hapja e negociatave me Bashkimin Europian

Delegacionin shqiptar që shoqëron kryeministrin Rama në Bruksel

19.07.2022 - 09:55

Shqipëria hodhi sot një hap të madh drejt BE-së me çeljen e negociatave. Por nga ky moment, vendi ynë nis rrugëtimin e gjatë drejt unionit si fillim përmbushjen e 15 kushteve, me qëllim avancimin e hapjes së kapitujve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Në Bruksel sot do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Delegacioni, i cili udhëtoi dje drejt Brukselit përbëhet nga 25 emra të lidhur me procesin e integrimit.

Konferenca do të nisë në orën 11:00 dhe më pas pritet të ketë një deklaratë për gazetarët të Kryeministrit Edi Rama, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joeph Borrel, eurokomisioneri Oliver Varhelyi dhe Kryeministrit çek Petr Fiala, i cili është edhe vendi që mban Presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Më pas, do të nisin negociatat teknike ku pritet të ulen në tryezë disa zëvendësministra si dhe kryenegociatori Zef Mazi. Delegacioni kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa pjesë e tij janë ministrja e Jashtme Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, etj.

Takimi i parë pritet që sot të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp. Delegacioni i BEsë do të kryesohet nga ministri i Jashtëm çek, si vendi që ka Presidencën e radhës së BE-së. Pjesë e tij do të jenë edhe përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin Varhelyi. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, në marsin e vitit 2020 Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe sot procesi i negociatave nis zyrtarisht me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. QËNDRIMI

Teksa Shqipëria pritet të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave, Kryeministri Edi Rama deklaroi për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau” se BE-ja është i vetmi destinacion për vendin tonë. “Durimi ynë është i pashtershëm për këtë temë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi mësuar. Shqipëria ka qenë gjithmonë lojë e fuqive të tjera dhe rrallëherë kemi pasur mundësi të votojmë për veten tonë. Ne jemi një vend i vogël, kemi vuajtur shumë dhe nuk na kanë lënë të marrim vetë vendime. Tani, për herë të parë, ne kemi një zgjedhje të lirë. Ne jemi evropianë dhe duam të anëtarësohemi në BE, sepse jemi pjesë e kontinentit. Çfarëdo që të duhet, pa marrë parasysh sa kohë duhet, ne po i përmbahemi këtij qëllimi”, theksoi Edi Rama. Kryeministri ironizoi veton bullgare, e cila thotë se u bë shkak që krahas Maqedonisë së Veriut të mbajë peng edhe aspiratën europiane të shqiptarëve. “Mënyra se si Bullgaria e trajtoi atë ishte një turp. Sofja na ka ndarë më shumë se sa na ka bashkuar. Shpresoj që kjo të ndryshojë tani”, deklaroi Edi Rama.

KUSHTET

Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020. Gjatë takimit virtual të ministrave për Europën, u dakordësua që ky proces për Shqipërinë të kushtëzohej me shtimin e kushteve për plotësim, duke e çuar në 15 numrin e tyre. 15 kushte e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë janë:

1. Miratimi i Reformës Zgjedhore;

2. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese;

3. Funksionimi i Gjykatës së Lartë;

4. Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe antikorrupsionit/funksionimi i SPAK-ut;

5. Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet plan-veprimit për adresimin e krimit financiar;

6. Ulje e numrit të azilkërkuesve;

7. Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias;

8. Vazhdimi i Reformës në Drejtësi;

9. Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të Shkallës së Parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;

10. Progres në reformën e administratës publike;

11. Zbatimi i Reformës Zgjedhore;

12. Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019;

13. Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare;

14. Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censit;

15. Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave.

DELEGACIONI SHQIPTAR:

TRYEZA E PARË

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Znj. Olta Xhaçka, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme
Zef Mazi, kryenegociator i Shqipërisë me BE
Znj. Suela Janina, ambasadore e RSH në BE
Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm
Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financës dhe Ekonomisë
Znj. Adea Pirdeni, zëvendësministër i Drejtësisë
Znj. Reida Kashta, drejtore e Agjencisë së Prokurimit Publik
Znj. Elsa Dhuli, drejtore e INSTAT
TRYEZA E DYTË

Endri Fuga, drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim
Znj. Romina Kuko, zëvendësministër i Brendshëm
Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm
Besart Kadia, zëvendësministër i Financës dhe Ekonomisë
Znj. Vasilika Vjero, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë
Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Znj. Ermira Gjeci, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Znj. Ornela Çuçi, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit
Znj. Elira Kokona, zëvendësministër e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave
Znj. Odeta Barbullushi, këshilltare e Kryeministrit për çështjet e BE
Znj. Albana Koçiu, drejtore e Departamentit të Administratës Publike
Znj. Albana Agastra, këshilltare e MEPJ
Znj. Natasha Ahmetaj, zv.guvernatore e Bankës së Shqipërisë
Ami Kozeli, drejtor i Kabinetit të Kryenegociatorit me BE
Znj. Admira Jorgji, drejtore e Drejtorisë së BE në MEPJ

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika