MENU
klinika

Koment nga “Supersport”

Dështimi në Evropë, leksioni për ekipet shqiptare

29.07.2022 - 15:19

Game Over! Aventura Europiane e skuadrave të Superiores mbaron që në raundin e dytë të Conference League. Zhgënjen Tirana, kampionët e Shqipërisë i humbën të katërta ndeshjet në kompeticionet kontinentale, rast ky ndoshta unik i kësaj vere.

Ëndrra rezulton më e madhe se takati për Vllazninë që kupton se Universitatea e Craiovës është shumë më e fortë, ndërsa kanë mjaftuar 20 minutat e fundit që të shkërmoqet dhe Laçi, që ishte skuadra që kishte entuziazmuar më shumë me atë që kishte shfaqur në fushë.

Kjo verë mund të konsiderohet pa diskutim një hap pas për futbollin shqiptar. Asnjë ndeshje nuk i ngjason tjetrës dhe çdo eleminim ka specifikat e tij, por të gjithë në fakt kanë një emërues të përbashkët. Pamundësinë për të garuar në nivelet europiane, qofshin kundërshtarë nga Luksemburgu, Bosnja, Moldavia e aq më pak Rumania.

Verdikti i fushës është i pakontestueshëm dhe ka të tjera detaje që reflektojnë pasqyrën e një kampionati, ku dy golashënuesit më të mirë të tij, Taulant Seferi apo Guindo, “lënë në baltë” skuadrat e tyre duke mos mundur të shënojnë asnjë gol në Europë.

Ndërkohë pamundësia për të krijuar dhe një strategji e kthyer në obsesion pak nga halli e pak nga zakoni për të luajtur në mbrojtje është evidente, te thuajse të gjitha skuadrat.

Pavarësisht detajeve e ndonjëherë dhe fatit, ecuria në kompeticionet kontinentale reflekton dhe forcën e kampionatit, luhet gjithë vitin për titullin apo Europën në fund të fundit, dhe këto eleminime edhe pse mund të mos jenë këmbana alarmi së paku mund të tingëllojnë si një mësim.

Kjo, duke nisur nga strategjia, klube që rindërtojnë skuadrat nga e para çdo verë, mungesa e një stategjite afatgjatë, shpenzime të ekzagjeruara për lojtarë të huaj që nuk bëjnë diferencën, dhe në fund rezultati është ky.

Një leksion për klubet por njëkohësisht edhe një “klithmë” për shtetin. Ai Ligji për Sportin, është një domosdoshmëri më shumë se kurrë, për të ndërtuar fillimisht klube me struktura të mirëfillta, projekte e strategji e jo thjesht skuadra, siç bëjnë në fund të fundit rivalët që na mundin në Europë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN