MENU
klinika

I dyshuari si vrasës me pagesë

Dorian Keqi refuzon të flasë për akuzat e ngritura ndaj tij

29.07.2022 - 10:15

40-vjeçari Dorian Keqi, i vënë nën akuzë për vrasjen e ish-drejtorit të Operatorit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, Saimir Jaku, do të qëndrojë në burg. Ai u njoh këtë të enjte me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ka refuzuar të shprehet në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, por avokati mbrojtës i caktuar nga shteti ka mohuar që klienti i tij të ketë lidhje me ngjarjen.

Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja Elsa Ulliri pranoi kërkesën e prokurorit Sabri Kastrati dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për 40-vjeçarin Dorian Keqi, ndaj të cilit janë ngritur akuzat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, nuk ishte i pranishëm asnjë nga familjarët e 40-vjeçarit, i cili u arrestua të hënën nga Policia e Lezhës, pas urdhërndalimit që kishte lëshuar prokuroria. Ai u zbulua në bazë të gjurmëve të gishtave që kishte lënë te bidoni me benzinë që u gjet pak metra larg vendit ku autorët kishin djegur makinën pas krimit.

RRETHANAT E NGJARJES

Dorian Keqi dhe persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me të, dyshohet të jenë paguar nga një grup kriminal për të kryer vrasjen, por deri në këtë fazë hetimesh, nuk janë arritur të zbulohen porositësit. Ish-drejtori OST për Veriun, Saimir Jaku, u ekzekutuar me 9 shtator të vitit 2016.

Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij, i cili nga të shtënat mbeti i plagosur. Autorët e ngjarjes, të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona, mes të cilëve edhe Dorian Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes, u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit.

Ekzekutimi i Saimir Jakut u pasua me një seri vrasjesh në qytetin e Rrëshenit dhe vendeve të BEsë, që mendohet të kenë ardhur si pasojë e përplasjeve të dy grupeve me influence në Qarkun e Lezhës.

Tashmë Policia dhe Prokuroria po punojnë për të plotësuar me të dhëna të tjera dosjen për zbardhjen e atentatit ndaj funksionarit të shtetit, i cili u ekzekutua teksa pinte kafe në një lokal në Rrëshen.

Bëhet me dije se po kërkohen edhe dy personat e tjerë që pretendohet se kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, por nuk bëhet me dije nëse dyshohet të kenë qenë të njëjtët edhe te djegia e automjetit që u përdor për largimin e ekzekutorëve nga vendi i krimit.