MENU
klinika

Dëshmia e ish-zëvendësministrit

“Dosja e zezë”: Kur u vra Nako Spiro…

05.07.2022 - 12:04

       Bëhen publike dokumentet nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të viteve 1945-1949, ku ndodhen disa raporte, informacione, relacione, njoftime, vendime, etj., të Komitetit të Partisë së Qarkut të Tiranës, të firmosura nga sekretarja e parë, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me propozimet e bëra në mbledhjet e organizatës bazë së partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pasi u analizua “veprimtaria trockiste dhe armiqësore” e drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si: Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Mihallaq Ziçishti dhe Myftar Tare, u dhanë motivacionet përkatëse për masat e marra dhe dënimet ndaj tyre.

Raport-informacioni i hartuar nga Fiqret Shehu, lidhur me mbledhjet e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku diskutuan kuadrot më të lartë të të tij, si: Vaskë Koleci, Angji Faber, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Siri Çarçani, Lefter Lakrori, Paskal Andoni, Isa Agoviku, Zymer Jerina, Nesti Kopali, Thoma Vangjeli, Strati Papa, Ali Kubati, Myftar Tare, Beqir Ndou, Uran Avdiu, Asllan Zyka, Mit’hat Bushati, Muharrem Lila, Skënder Konica, Pilo Shanto, Jani Naska, Petrit Arbana, Thoma Vangjeli, Zoi Shkurti, Vangjel Pecani, Dhosi Progri, Mihallaq Ziçishti, Sadik Bocaj, Sali Ormëni, etj.

Proces-verbalet e mbledhjeve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pjesa më e madhe e kuadrove drejtues që morën fjalën aty, diskutuan dhe analizuan veprimtarinë e punës së tyre për periudhën 1945-1949, duke evidentuar terrorin, persekutimet, internimet, arrestimet, burgosjet, torturat, pushkatimet, krimet, vrasjet me dhe pa gjyq, zhdukjen e personave, etj., etj. që kishin ndërmarrë kuadrot më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke filluar nga Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci, Myftar Tare, Mihallaq Ziçishti, etj., të cilët veç të tjerash, u akuzuan se, në bashkëpunim me këshilltarët jugosllavë të UDB-së që ishin inkuadruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si koloneli famëkeq, Safet Filipoviç, majori Mirko, etj., kishin vënë organet e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë, duke arritur deri aty sa të kontrollonin edhe postën e ‘Komandantit’ (Enver Hoxhës), si dhe të survejonin udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe qeverisë, si: Mehmet Shehun, Spiro Kolekën, Bedri Spahiun, Nako Spiron, Njazi Islami, Spiro Gusho, etj.

Dokumenti me relacionin e hartuar nga sekretarja e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me propozimet që ishin bërë nga ana e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë, së Sigurimit të Shtetit, për masat e marra ndaj drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Brendshme, si: Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi, të akuzuar për “veprimtari trockiste dhe armiqësore”.

KOMITETI I P.P.SH. QYTETIT

PËR TIRANËN

Tiranë, më 25.3.1959

Nr. 7/392

KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË

Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë propozimet e organizatës bazë të Drejtorisë së Sigurimit, Nr. 1, në lidhje me masat që duhen marrë për shokët: Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi.

Paskal Andoni: Pasi të nesërmen e letrës, Anthimi më tha se kishte gënjyer, unë e godita. Më thërriti Nesti, e më thotë se: pse e torturove dhe më dënoi me pesë ditë arrest. Të nesërmen, mbasi më tha Srati, të vete të shoh Anthimin, shkova e më gjeti Nesti dhe më foli si i marrë. Më vonë, Nesti e merr vetë në pyetje, por se çfarë i tha, nuk e di. Pastaj, Nesti më këshilloi të kisha kujdes në proceset, mbasi bëra një arrestim tjetër.

Vangjo Mitrojorgji: Pjesëmarrja e Vangjose vetë, në rastin e Galip Hatibit, forcoi ndjenjën e torturave.

Në shtator të vitit 1946, arrestova ilegalisht një person, që dilte në procesin e Llazar Papapostolit, urdhri m’u dha nga Nesti. Këtë e arrestova me Angji Faber e Thoma Vangjelin, të cilin, e ruante të izoluar në Seksionin e Tiranës, Turabiu, deri sa u zhduk. Këtë, e merrte në pyetje, Nesti e Thoma Karamelua.

Kur kam qenë në Seksion, Skënder Kosovën, e kam vënë në lidhje me një vajzë, për ta përdorur si rrjet. Ka qenë kjo vajzë, për të cilën flitej, që merrej në makinë dhe kur më hoqën nga Seksioni, për në Divizon, dyshova, se mos qe shkaku i dyshimeve me këtë, të cilën ja kam thënë Nestit.

Isa Agoviku: Jugosllavi, Filipoviç, na u duk shpëtimtar i situatës, sepse ne nuk kemi qenë të orientuar, as nga Nesti, as nga tjetër njeri, mbi punën tone. Nesti dhe Vaska, monopolizonin punën.

Kolonel Safeti, ka insistuar që të ndaloheshin torturat, por Koci dhe Nesti, nuk e praktikuan këtë.

Puna trockiste nga Safeti, është futur edhe në organikë. Kanë parë këtë, në forma mekanike poshtë, në disa vende, kuadri i pakët dhe nga Drejtoria, nuk plotësohej, faji i Nestit, Vaskës, etj.

Nesti më ka kthyer informatat mbi Jugosllavët, duke më thënë se: Nuk janë gjë dhe më ka pas thënë se çështja e Selitës, nuk është gjë, por, shikoni Shahin Rukën, se nuk është gjë ai.

Jani Naskën e Dhosi Progrin, m’i kanë rekomanduar si të dyshimtë nga Strati Papa, dhe këtë ja kishte thënë Nestit. Nga kjo, në karakteristikat personale, nuk kanë qenë objektiv.

Zymer Jerina: Në vitet 1945-1946, u caktova si Sekretar Legate në Itali dhe Nesti Kerenxhi më tha që do të kontrollosh dhe Fonin, pasi ai është intelektual dhe ka disa të meta. Ju kontrolloni letrat e anëtarëve të Partisë për jashtë, për këtë më tha Nesti, se mund të shkruajnë edhe gabime dhe më solli një shembull.

Nesti Kopali: Kam gjetur një dokument që flet për Pano Rushon anëtar partie, ku Nesti thotë të zhduket, por mbasi Seksioni i Korçës, refuzon ta zbatojë këtë urdhër, atëherë ai i thotë që le të kalbet në burg.

Thoma Vangjeli: Kur vajti Komandanti në Jugë, Nesti më tha që duhet të ruhemi nga minoritarët. Ndërsa për vetëvrasjen e Nakos, po Nesti më tha që, thuaji Zihni Muços, që të mos marri asnjë masë, por të punohet.

Isa Agoviku: Procesit të Xegës dhe Konomit, i jepej rëndësi, kopjativin ja gjeti Xegës në zyrë. Gjatë procesit, Xega na nxori disa ministra, si: Tashko, Koleka, etj. Këto emra ai, i nxori vetë gjatë pyetjeve, dhe ka pas qenë futur në qorrsokak.

Fliste dhe për të tjerë, si Thaçi që kishte vdekur. Unë këto ja referoja Nestit, i cili, më thoshte që të vazhdoja dhe kam vazhduar, por pas torturave ai, i mohonte të gjitha këto deklarata. Edhe nga lart, nuk u kërkua hesap. Nesti më thoshte se neve, na e kanë gjetur pikën e dobët, prandaj të hapim sytë.

Strati Papa: Mbasi erdha nga leja (21.8.1948), Paskali, më tha: se Xega dhe Konomi, u dënuan dhe se kemi autorizim për t’i ri proceduar dhe të torturoheshin. Paskali mori Xegën, ndërsa Jani Pilo, Konomin. Para se t’i rrihnin, do t’i premtonin jetën, po të flisnin.

Kishin shkruar nga 60-70 faqe dhe për këto, Vangjua tha: Të shikohen dhe çdo ditë që keni takim, të më tregosh mbi proceset. Paskali, pa dru e kishte zgjidhur punën me Xegën. Ishim në pragun e Plenumit të XI-të dhe Vangjua, më thotë që të shikohet çështja e Anthimit në Itali, në objektet qendrore. Të synohesh që të dalë nga ata që janë jashtë. Janë dorëshkrimet e Vangjos me këto procese, të shkruara me dorë.

Vangjua pyeste çdo ditë mbasi ishin dënuar me vdekje dhe u vonuan pa u ekzekutuar. Miltiatdhi, thotë se Anthim Konomit, i jepej një deklaratë për këta ministra, si Spiro Kolekën etj. Një gjë e tillë, e kishte dhënë para tetë muajsh, Xega, të cilën ja kishte dhënë Nestit dhe ky tha: qeratallarët e dinë pikën e dobët.

Ali Kubati: Në shtator 1946, Nesti Kerenxhi më ka thirrur për ta survejuar Myslym Pezën, duke më thënë se e njeh nga çeta e Pezës, dhe me që ishte pa parti, ta shikosh dhe më thuaj. Raportoja çdo ditë dhe së fundi, dhashë një relacion, ku them se është i ndershëm dhe s’ka nevojë të shikohet.

Kadri Hazbiu më tha, se ke rënë në pozitat e tij. Myslymi na ndihmojë me informata për Grupin e Deputetëve dhe mbante qëndrim të mirë.

Vaskë Koleci: Për çështjen e biografisë së Josip Djerdës, është e vërtetë dhe këtë e din Nesti, i cili ka dosje të posaçme për këto. Këto letra i kam marrë që në gusht të 1947-ës, dhe i kam mbajtur aty. Nuk i kam treguar as njeriut. Ja dorëzova Nestit. Koci nuk i ka parë.

Për kartabiankën në Shkodër (1946), unë vajta në tetor, në fillim, nuk më është dhënë. Kam rrah, mbas 15 a 20 ditëve, u ktheva. Bisedova me Nestin, ku erdhi dhe Koci, aty më kanë thënë: përdorni çdo gjë, d.m.th., herën e dytë kur vajta.

Myftar Tare: Konkretisht, shoku Nesti, kur e dini çështjen e Nakos?

Nesti gjegjet: Konkretisht, që kur më thirri Koci, u kuptua.

Sadik Bocaj: Nesti e tha se ajo ishte një prapaskenë dhe unë i kam hasur këto prapaskena.

Myftar Tare: Atë ditë që u vra Nakua, neve qanim, ndërsa Nesti, fishkëllente.

Isa Agoviku: Unë propozoj, në lidhje me shokun Nesti e shokun Vaskë, që të merret në shqyrtim, çështja e qëndrimit të tyre në parti, apo jo. Sepse shoku Nesti, ka gabime kaq të rënda në çështje të Sigurimit, të kuadrit, etj., dhe se po të mos kishte qëllim të keq, do t’i shkonte puna mirë.

Nesti nuk ka pse t’ja veshë fajin Kocit vetëm, ka edhe ky vetë gabime. Ky e njihte komandant Tukun etj., dhe le t’ua parashtronte këto gabime.

Nesti Kopali: Për Nesti Kerenxhin, nuk kam vendosur, sepse lart ka bërë një autokritikë të shëndoshë. Këtu, atë që bëri, e pëlqeva, por, ai ka pasur të thoshte akoma.

Beqir Ndou: Nesti ka qenë i dallavereve dhe ka përgjegjësi të madhe, ai ka pasur mundësi, ta ndihmojë Partinë.

Mihallaq Ziçishti: Unë nuk e vë në një kategori Nestin, me Vaskën, Qëndrimi i tij (Nestit), këtu ka qenë i mirë. Shoku i Komitetit Central, na tha se Nesti ka lënë rrugën e vjetër, ai ka mbajtur qëndrim të këtillë në Komisionin e Planit, unë propozoj, vërejtje të rëndë.

Uran Avdiu: Idem.

Asllan Zyka: Idem.

Mit’hat Bushati: Unë mendoj, se shoku Nesti, e ka zbatua me koshiencë vijën trockiste. Autokritika e shokut Nesti në Komitetin Central, nuk ka qenë shumë e kënaqshme. Ai është përgjegjës për vrasjen e shokut Nako. Ka qenë pjesëtar i prapaskenës. Ai është përgjegjës për tortura dhe vrasje. Ish-ministri, të përjashtohet.

Lefter Lakrori: Unë pashë se Nesti, po realizon, veç kësaj, duke parë qëndrimin e tij këtu, unë jam dakord me Mihallaqin Ziçishtin.

Muharrem Lila: Është e vërtetë se Nesti ka qenë elementi kryesor i gabimeve në Sigurimin e Shtetit, por duke marrë parasysh ndihmën e dhënë Partisë në Plenumin e XI-të dhe qëndrimin e tij sot, autokritikën e tij sot, edhe unë jam dakord me shokun Mihallaq.

Skënder Konica: Jam i mendimit si Mihallaqi.

Pilo Shanto: Nesti Kerenxhi është përgjegjës për të gjitha ato që u thanë këtu, por duke u kapur nga fjala e të deleguarit, duke parë qëndrimin e Komisionit të Planit, në lidhje me Jugosllavët, ndihmën e dhënë Komitetit Central, unë mendoj si Mihallaqi.

Jani Naska: Më 1947, ngrita një bisedim tek jugosllavët kundër interesave tona, dhe këtë ja raportova Nestit, por ai nuk e pa me interes. Trajtimi im në Drejtori, nuk ka qenë i mire. Gjatë kohës në Drejtori e kam ndier veten si në shtëpinë e hasmit.

Dyshimi që kishte Nesti për mua dhe që u rrah Mahmut Qemali, për të thënë për mua, por nuk doli gjë. Sepse unë jesh kaq i dyshimtë, nuk di gjë, por se gjoja unë jesha organizuar me një grup reaksionarësh dhe që do i bëja atentat kundër komandantit.

Për autokritikën e shokut Nesti, jam i të njëjtit mendim si shoku Isa Agoviku. Nesti ja hodhi fajin Koci Xoxes dhe pjesërisht morri përsipër vetë, jo si kryesor që ka qenë dhe i dyti pas Kocit, e cilësoj unë, sepse ka qenë në Byro, anëtar i Komitetit Qendror, ndihmës ministër i Brendshëm dhe dinte gjendjen në udhëheqje, kurse ne nuk dinim gjë.

Petrit Arbana: Në 1 Maj të vitit 1948, u caktova në tribunë së bashku me Angji Faberin për të ruajtur Mehmetin. Po atje, qëndroi Angji dhe Nesti vetë. Memorie.al

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët