Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka folur për vendimin historik të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Ai në mesazhin e tij thekson se ky vendim është një arritje, të cilët shqiptarët e kërkonin prej 32 vitesh demokraci. “Nuk është e thënë se do të ndodhe me patjetër, por shpresat janë që nga sot Europa të ndikojë që pushteti dhe shteti të mos jenë e njëjta gjë në Shqipëri, që zgjedhjet të mos shiten e blihen në masë tjetersuese, që administrata publike të jetë ideologjike, që korrupsioni të mos jetë fillimi e fundi por sado që Europa të jetë kushtezuese e vullnetmirë ndaj nesh këtu qeverisin shqiptaret”, thekson ai.
Por në mesazhet e tij, Gjekmarkaj thekson se ky vendim i BE është vetëm “kalimi i pragut” dhe se gjasat janë që të qëndrojmë gjatë në “korridorin e Bashkimit Europian”.
“Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE i jep historisë së vendit tonë një kthesë të shumë pritur. Pas më shumë se pesë shekujsh ne po kthehemi tek rrënjët duke shuar çdo dileme artificiale për identitetin europian të shqiptareve. Europa nuk është në ditet e saj më të mira, shumë dilema e kriza e perfshijnë e përshkojnë! Më e fundit lufta në Ukrainë e cila na shembi një tabu atë të paqes së “përjetshme”. Por Europa është ajo bijëza e bukur që joshi Zeusin me hiret e saj tek mblidhte lule dhe që asokohe nuk ka reshtur se joshuri së qeni e lakmuar e trazuar por gjithmonë dritë e botes dhe laborator i panderprerë i idealeve më të mira njerëzorë.
Ne kemi jetuar si komb kohë pas kohe me ëndrrën e Evropës me “shansin e humbur”, por një meritë të pamohueshme e kemi, dashurinë për kontinentin e vjetër nuk e tradhetuam brenda nesh edhe pse na u imponuan sundime që e urrenin atë. Politika shqiptare mendon se është kerrthizë e Botes, kur në fakt për të është një gjë e vogël dhe si gjithë të frustuarit gëzimet e përbashkëta tentojmë ti kthejmë në humbje të kundërshtarit.
Duke u ngritur e duke rënë, duke ndërtuar e zhgënjyer, duke qeshur e duke qarë, duke akuzuar e duke bërë dhunë, por duke besuar tek Europa në 32 vite liri të gjithë bashkë arritëm në këtë dite!
Nuk është e thënë se do të ndodhe me patjetër, por shpresat janë që nga sot Europa të ndikojë që pushteti dhe shteti të mos jenë e njëjta gjë në Shqipëri, që zgjedhjet të mos shiten e blihen në masë tjetersuese, që administrata publike të jetë ideologjike, që korrupsioni të mos jetë fillimi e fundi por sado që Europa të jetë kushtezuese e vullnetmirë ndaj nesh këtu qeverisin shqiptaret.
Ata që e marrin përsipër këtë detyrë nga votuesit e tyre duhet të sillen si europianë e kjo nuk ndodh me të lutura kjo realizohet kur shoqëria shqiptare sillet si europianë në reagimin ndaj politikes së saj. Në Europë ka gjithmonë rinovim elitash politike që bartin ide të reja e transformuese. Nëse edhe ne nuk ndryshojmë mendësi, por mrizojmë nën hijen e miteve të rreme që më shumë na kanë rrejtë se na kanë thënë te vërteten, duke besuar kultin e individit dhe mohuar kultin e shoqërisë, vërtete e kaluam pragun por do rrimë gjatë në korridorin e BE !
Por sot është një dite feste dhe jo kasandrash!
Gezuar Shqiperi që u ktheve aty ku Gjergj Kastriot- Skenderbeu të desh”, thekson Gjekmarkaj.