MENU
klinika

Analiza e REL

Ekonomia sfidohet nga barrierat politike mes vendeve të rajonit

03.07.2022 - 14:51

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se ngecja në projektet infrastrukturore dhe pritjet e gjata në dogana e ulin në masë të theksuar konkurrencën e produkteve maqedonase në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për afaristët e Maqedonisë së Veriut me rëndësi të veçantë është që iniciativa Ballkani i Hapur paralelisht Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), që të mos mbingarkohet administrata, e cila edhe ashtu nuk është siç thonë dhe aq efikase në favor të biznesit.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë thotë se për sektorin e biznesit parësor mbetet opsioni që ofron lëvizje të lirë të kapitalit, shërbimeve dhe qytetarëve.

“Çdo marrëveshje paralele, e cila në një farë forme do të ndikojë në dobësimin e marrëveshjes paraprake, për ne nuk është e pranueshme”, thotë Iseni.

Ai nënvizon se me rëndësi mbetet që lehtësimet që arrijnë shtetet e rajonit të zbatohen në praktikë dhe jo vetëm të promovohen si të tilla me pompozitet dhe të njëjtat të mbeten vetëm në letër.

“Realisht, bizneseve nuk u duhen shumë samite të mëdha ku fliten fjalë të bukura, por duhet vepruar edhe në terren. Dhe kjo, para së gjithash, nënkupton infrastrukturë të mirë rrugore dhe shërbime doganore efikase që do ta përshpejtojnë lëvizjen e lirë të mallrave mes shteteve të rajonit dhe e gjithë kjo të rezultojë me një këmbim më të lartë tregtar, pa marrë parasysh se për cilin shtet bëhet fjalë. Çdo marrëveshje plotësuese që e defokuson këtë administratë që realisht nuk është dhe aq efikase, pra nuk shkon në favor të biznesit”, vlerëson Iseni.

Por, cili është dallimi midis CEFTA, që është marrëveshje për tregti të lirë dhe bashkëpunim më të madh ekonomik, dhe iniciativës Ballkani i Hapur, që në të vërtetë e ka të njëjtin objektiv?

Drejtori i Sekretariatit të Përgjithshëm të CEFTA-s, Emir Xhikiq, thotë për Radio Evropa e Lirë se CEFTA në parim mbetet e fokusuar në harmonizimin e këmbimit tregtar mes vendeve nënshkruese të marrëveshjes me standardet e BE-së në kuadër të tregtisë rajonale.

“Ajo çka është me rëndësi të theksohet, është se dallimi bazë midis CEFTA-s dhe Ballkanit të Hapur, sipas gjërave tashmë të theksuara, është ajo se CEFTA është proces inkluziv që në njëfarë dore ndonjëherë i rëndon aktivitetet, ndërsa nga ana tjetër çon drejt asaj që të gjitha palët në Ballkanin Perëndimor të shkojnë më shpejt drejt integrimit evropian”.

“Sa i takon Ballkanit të Hapur, në një moment të caktuar do të duhet të përputhet me aktivitetet e CEFTA-s, me kusht që në kuadër të tërë Procesit të Berlinit, ose të tregut të përbashkët rajonal, të shfrenohen çështje të caktuara politike që e bllokojnë funksionalizimin e këtyre dy iniciativave”, thotë Xhikiq.

Nga ana tjetër, Biljana Muratovska nga Asociacioni i transportuesve ‘MakamTrans’, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i shumë mallrave varet nga çmimi i transportit që përcaktohet nga shpejtësia e tij.

Muratovska thekson se shumë probleme paraqiten në sistemin doganor, i cili është i vjetër dhe me një dinamikë të ngadaltë u përshtatet kërkesave të kohës ndërkohë që realizimi i projekteve infrastrukturore ngec me vite.

“Çmimi i shumë produkteve varet nga shpejtësia e lëvizjes , mendoj transportimit nga një vend në një vend të caktuar. Ne nuk kemi shpejtësi të lëvizjes pasi jemi të kufizuar”, thotë Muratovska, duke nënvizuar si problematike mosdefinimin e qartë sa i përket shpërndarjes së të drejtave dhe përgjegjësive në mes anëtareve të CEFTA-s.

Ndërsa, Emir Xhikiq konsideron se ekonomia mbetet peng i barrierave politike në mes vendeve të rajonit.

“Gjithnjë politika ka pasur ndikim ndaj ekonomisë dhe ekonomia ndaj politikës, këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Ajo çka duhet të thuhet është se potenciali ekonomik që vendet anëtare do të kishin mundur ta shfrytëzojnë me pjesëmarrjen në CEFTA, është mbi 7 për qind e prodhimit të përgjithshëm bruto, GDP në nivel vjetor. Kjo tregon se palët duhet të angazhohen në kapërcimin e problemeve politike dhe me të vërtetë t’u kushtohen çështjeve ekonomike që do të kontribojnë në mirëqenien e kompanive dhe në mënyrë indirekte edhe të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”.

“Ajo çka me të vërtetë duhet të theksohet është se integrimi rajonal në këtë mënyrë siç e shikojmë ne, përkatësisht përmes tregut rajonal të përbashkët dhe integrimeve evropiane, janë dy anë të një monedhe. Ajo çka do të bëni për integrim në CEFTA, do t’ju shkruhet edhe tek integrimi në BE dhe e kundërta”, shprehet Xhikiq. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arben Malaj/ Çfarë masa duhet të marrë qeveria?

Ekonomia nuk mund të ringrihet pa konsum dhe investime